Google ADS

Peja barazon serinë ndaj Bashkimit në gjysmëfinale

22:04 | 24 Prill 2025
E.G

Peja ka arritur të barazojë serinë gjysmëfinale ndaj Bashkimit në Superligën e Kosovës në basketboll, pas një fitore dramatike në shtëpi me rezultat 84:79 (26:11, 20:21, 22:23, 16:24).

“Verdhezinjtë” e kanë nisur ndeshjen në mënyrë mbresëlënëse, duke dominuar në çerekun e parë dhe krijuar një epërsi deri në 15 pikë (22:7), për ta përmbyllur këtë pjesë me rezultat 26:11. Edhe pse periudha e dytë ishte më e baraspeshuar, Peja e ka ruajtur kontrollin dhe ka shkuar në pushim me avantazh të dyfishtë, 46:32.

Në pjesën e dytë, ka reaguar Bashkimi. Prizrenasit kanë arritur të kthehen në lojë dhe madje kanë kaluar në epërsi në minutat e fundit të ndeshjes (76:77), por përvoja dhe qetësia e Pejës e ka bërë diferencën në momentet vendimtare.

Nën udhëheqjen e Dardan Berishës, i cili ka qenë fantastik me 23 pikë dhe pesë kërcime, Peja e ka rikthyer avantazhin dhe e ka mbyllur ndeshjen në favorin e saj. MVP i përballjes, pa dyshim, ishte pikërisht Berisha.

Në anën tjetër, për Bashkimin më efikasi ka qenë Jayveous McKinnis me 15 pikë dhe nëntë kërcime.

Seria është tani e barabartë 1:1, ndërsa ndeshja e tretë do të zhvillohet të dielën në Prizren. Ekipi që arrin tri fitore siguron biletën për finalen e madhe të kampionatit.

Shpërndaje në rrjete sociale