FIFA konfirmon një ndryshim të ri në rregullore para fillimit të Kupës së Botës 2026

23:14 | 31 Maj 2026
D.H

FIFA ka konfirmuar një ndryshim të ri në rregullore para fillimit të Kupës së Botës 2026, me qëllim eliminimin e një praktike që është kritikuar shpesh nga trajnerët, tifozët dhe analistët e futbollit.

Turneu që do të zhvillohet në Amerikën e Veriut nis më 11 qershor, me ndeshjen hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut.

Sipas rregullit të ri, ekipet nuk do të lejohen më të shfrytëzojnë ndërprerjet e lojës kur portieri shtrihet në fushë për trajtim mjekësor, për të zhvilluar takime taktike me trajnerët pranë vijës anësore.

Gjatë sezonit të fundit është vërejtur një rritje e rasteve kur portierët kërkonin ndihmë mjekësore, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës mblidhej pranë bankinës për të marrë udhëzime taktike.

Tashmë, kur një portier mbetet i shtrirë në fushë, lojtarët do të duhet të qëndrojnë në pozicionet e tyre ose të grumbullohen në qendër të fushës. Ata nuk do të lejohen të afrohen te bankina për të biseduar me trajnerin.

FIFA ka ftuar gjithashtu kampionatet vendore që ta testojnë këtë rregull edhe gjatë sezonit të ardhshëm, në përpjekje për të gjetur zgjidhje afatgjata ndaj kësaj dukurie.

Shefi i arbitrave të FIFA-s, Pierluigi Collina, shpjegoi arsyen e këtij vendimi.

“Ne zhvilluam një takim me trajnerët e të gjitha 48 kombëtareve dhe ua bëmë të qartë se arbitrat do të jenë proaktivë. Ata nuk do të lejojnë që skuadrat të shkojnë pranë bankinave kur portieri është i shtrirë në fushë”, deklaroi Collina.

“Portieri ka të drejtë të jetë i lënduar, por lojtarët e tjerë nuk kanë të drejtë të largohen nga fusha për të zhvilluar një lloj pushimi taktik me trajnerët e tyre”, shtoi ai.

Ky fenomen ka shkaktuar debate të shumta gjatë sezonit. Madje, trajneri i Leeds United, Daniel Farke, kishte pretenduar se portieri i Manchester City, Gianluigi Donnarumma, kishte simuluar një lëndim për të fituar kohë dhe për të anashkaluar frymën e rregullave.

Ndërkohë, International Football Association Board ka miratuar edhe një ndryshim tjetër, i cili do t’i lejojë sistemit VAR të rishikojë faullet sulmuese që ndodhin para se topi të jetë në lojë.

Sipas FIFA-s, arbitrat do të jenë përgjegjës për zbatimin e rregullit të ri, por lojtarët nuk do të ndëshkohen me karton të verdhë nëse tentojnë të afrohen te bankina.

“Është e çuditshme që në fushë mbeten vetëm arbitri, fizioterapisti dhe portieri, ndërsa të gjithë lojtarët e tjerë largohen nga fusha. Kjo nuk është diçka e mirë për lojën”, përfundoi Collina.

66-vjeçari italian është një nga arbitrat më të njohur në historinë e futbollit dhe gjatë karrierës së tij drejtoi edhe finalen e Kupës së Botës 2002 mes Gjermania dhe Brazili./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale