Shkëndija e Haraçinës ka shkruar një nga faqet më të ndritshme në historinë e klubit, duke siguruar për herë të parë promovimin në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Skuadra nga Haraçina triumfoi në ndeshjen e barazhit ndaj Pelisterit të Manastirit, duke fituar pas penalltive me rezultat 6-5, në sfidën vendimtare të zhvilluar në Kavadar.
Koha e rregullt përfundoi 1-1, ndërsa fati i një sezoni u vendos nga pika e bardhë. Hero i madh i Shkëndijës ishte portieri Antonio Stolevski, i cili u dallua me pritje vendimtare, si gjatë lojës ashtu edhe në serinë e penalltive.
Përballë Shkëndija kishte një kundërshtar me përvojë si Pelisteri, që e kishte mbyllur sezonin në pozitën e tetë në Ligën e Parë, ndërsa ekipi nga Haraçina e kishte përfunduar kampionatin në vendin e tretë në Ligën e Dytë.
Ndeshjen e nisi më mirë Pelisteri, duke krijuar rastet e para serioze. Mirko Ivanovski provoi dy herë, në minutat 20 dhe 35, por pa arritur ta gjejë rrugën e golit. Shkëndija u përgjigj në minutën e 38-të, kur Nuhija lëshoi një goditje të fuqishme nga rreth 30 metra, por topi u ndal nga traversa. Momenti që ndryshoi rrjedhën e takimit erdhi në minutën e 53-të, kur Zani Nazifi shënoi për 0-1, duke ndezur festën te futbollistët dhe tifozët e Shkëndijës.
Pelisteri kishte shansin ideal për ta barazuar në minutën e 66-të, por Ivanovski dështoi nga pika e bardhë, pasi penalltinë ia priti Stolevski.
Drama u shty deri në minutat shtesë. Në minutën e 90+8, Petkovski shënoi me kokë për 1-1, ndërsa pak më herët, po në minutën e 90+8, traversa shpëtoi portën e Shkëndijës nga një rast tjetër i rrezikshëm.
Në penallti, Shkëndija u tregua më e saktë dhe fitoi 6-5.
Me këtë sukses, Shkëndija e Haraçinës sezonin e ardhshëm do të garojë mes më të mirëve në futbollin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa Pelisteri bie nga elita.
Rritet konsumi i duhanit në Kosovë, shqetësim i madh te të r...
FIFA konfirmon një ndryshim të ri në rregullore para fillimi...
Kurti e kap tabllën e filxhanit në emision: Kosova është pak...
Ky është teksti që familja e Vuçiqit donte ta hiqte me çdo k...
Gresa Bakraqi e argjendtë në Kampionatin Evropian të shtetev...
Pas incidentit të dhunshëm në Zvërnec, hiqet teli me gjemba ...