Nuk kryejnë punë as miliardat, Aurelio de Laurentiis refuzon ofertën e çmendur për shitjen e Napolit

17:11 | 23 Maj 2026
E.K

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka refuzuar një ofertë marramendëse prej 2 miliardë eurosh nga një firmë amerikane për blerjen e klubit, raporton “Corriere dello Sport”.

Sipas mediumit italian, propozimi është paraqitur nga një grup investitorësh i udhëhequr nga Matt Rizzetta, president i skuadrës së Serie C Campobasso, i Napoli Basket, si dhe themelues e partner menaxhues i fondit privat Underdog Global Partners.

Raporti thekson se bisedimet mes Napolit dhe ekipit të Rizzettas nuk kanë prodhuar marrëveshje dhe madje janë pezulluar para fazës së due diligence, duke e mbyllur praktikisht rrugën për finalizimin e një shitjeje.

De Laurentiis, sipas Corriere dello Sport, nuk ka ndërmend ta shesë Napolin dhe dëshiron të mbetet në krye të klubit, i cili do të festojë 100-vjetorin në vitin 2027.

Ndërkohë, e përditshmja italiane pretendon se ka kontaktuar edhe Rizzettan, i cili fillimisht e ka shtyrë bisedën për një orë, për të reaguar më pas përmes zyrës për media të Campobassos, duke deklaruar se nuk ka komente dhe se nuk është në dijeni për negociata të tilla.

Rizzetta është përmendur gjithashtu edhe në lidhje me një blerje tëmundshme të Regginas, por Campobasso ka bërë të ditur në një njoftim zyrtar të premten se biznesmeni italo-amerikan do të vazhdojë të jetë i përkushtuar ndaj klubit./Telegrafi/