Eliminimi i FC Bayern Munich nga UEFA Champions League pas barazimit 1:1 ndaj Paris Saint-Germain F.C. ka shkaktuar reagime të ashpra në Gjermani, ku fajtor kryesor për dështimin e bavarezëve po konsiderohet gjyqtari portugez João Pinheiro.
Mediumi gjerman “Bild” ishte ndër më kritikët, duke e cilësuar ndeshjen si një “skandal arbitrar” që, sipas tyre, ia shkatërroi Bayernit ëndrrën për finalen e Championsit.
Sipas raportimeve, kampi bavarez është revoltuar për disa vendime të gjyqtarit, sidomos për dy raste të diskutueshme me lojtarët e PSG-së.
Rasti i parë ndodhi në minutën e 28-të, kur topi preku dorën e Nuno Mendes, i cili kishte tashmë një karton të verdhë. Futbollistët e Bayernit kërkuan menjëherë kartonin e dytë të verdhë dhe përjashtimin e mbrojtësit portugez, por gjyqtari akordoi faull për PSG-në, duke pretenduar për një prekje me dorë nga Konrad Laimer.
“Bild” shkroi se vendimi ishte i gabuar, duke theksuar se Laimer e kishte prekur topin me bark dhe kofshë, jo me dorë.
Një tjetër moment që nxiti reagime ishte edhe prekja me dorë e João Neves pas një devijimi të topit nga Vitinha. Ish-gjyqtari gjerman Manuel Gräfe deklaroi se ai rast duhej të ishte penalti për Bayernin.
“Është penalti dhe duhet të akordohet gjithmonë, sepse ka lëvizje të qëllimshme drejt topit”, u shpreh Gräfe.
Megjithatë, “Bild” sqaroi se sipas rregullave të IFAB-it, nëse topi vjen nga një bashkëlojtar dhe nuk është në drejtim të portës, atëherë nuk konsiderohet domosdoshmërisht penallti.
Pas ndeshjes, drejtuesit dhe stafi teknik i Bayernit nuk i kursyen kritikat ndaj arbitrit portugez.
CEO i klubit bavarez, Jan-Christian Dreesen, u shpreh i habitur që një gjyqtar me vetëm 15 ndeshje në Champions League ishte deleguar për një sfidë kaq të rëndësishme.
“Është të paktën befasuese që një arbitër me kaq pak eksperiencë në Champions të drejtojë një ndeshje të tillë. Ndoshta kjo shpjegon disa nga vendimet e marra sot”, deklaroi ai.
Edhe trajneri i Bayernit, Vincent Kompany, reagoi ashpër pas eliminimit.
“Pse nuk është karton i kuq? Nuk e kuptoj. Pse në Paris na u dha penallti kundër, ndërsa këtu neve jo? E njoh rregulloren, ajo dorë ishte mbi kokë. Dukej sikur gjithçka shkoi kundër nesh”, tha Kompany.
PSG siguroi kualifikimin në finalen e Champions League për të dytin vit me radhë./Arbresh.info
Kurti për bashkimin LDK-Osmani: Le të punojnë me çka dinë e ...
Rama mbledh drejtuesit politikë në selinë e PS
Kurti për shtyrjen e vendimit për katërshen e UÇK-së: Kosova...
Vrasja në Gjakovë, arrestohet edhe një i dyshuar – Policia j...
MINT publikon çmimet e reja të derivateve, shtrenjtohet naft...
Rrahje në Podujevë, një person dërgohet në mbajtje – konfisk...