Kvaratskhelia për finalen me Arsenalin: Ndeshja më e madhe e jetës sonë dhe do të japim gjithçka për këtë kupë

08:51 | 7 Maj 2026
D.H

Ylli i Paris Saint-Germain, Khvicha Kvaratskhelia, ka reaguar pas kualifikimit të skuadrës franceze në finalen e UEFA Champions League, duke thënë se PSG-ja është gati të japë gjithçka për ta fituar trofeun.

Në deklaratën e tij për TNT Sports, reprezentuesi gjeorgjian u shpreh krenar për arritjen e skuadrës, por theksoi se puna ende nuk ka përfunduar.

“Jemi shumë krenarë që e arritëm përsëri këtë sukses. Por tani kemi finalen dhe duhet të jemi gati për atë ndeshje. Do të jetë shumë e rëndësishme për ne. Mund të jetë ndeshja më e madhe e jetës sonë dhe do të japim gjithçka për këtë kupë,” deklaroi Kvaratskhelia.

Ai foli edhe për golin e hershëm të PSG-së, duke lavdëruar bashkëlojtarin e tij Ousmane Dembélé.

“Ishte shumë e rëndësishme që shënuam kaq shpejt. E pashë që Dembele ishte i lirë dhe ai realizoi në mënyrë fantastike. Jam shumë krenar për të, por edhe për gjithë skuadrën. Shpirti i ekipit ishte i jashtëzakonshëm dhe jam krenar që jam pjesë e këtij grupi,” tha ai.

Kvaratskhelia komentoi edhe finalen me Arsenalin , duke treguar respekt maksimal për kundërshtarin, por duke insistuar se PSG-ja duhet të fokusohet vetëm te loja e saj.

“Ne i respektojmë të gjitha skuadrat. Për ne është shumë e rëndësishme të luajmë lojën tonë dhe të përqendrohemi te ajo. Nuk mendojmë shumë se kush është kundërshtari, por përgatitemi maksimalisht dhe japim gjithçka në fushë,” u shpreh gjeorgjiani.

Në fund, ai theksoi se finalja e Ligës së Kampionëve është gjithmonë një sfidë e madhe, pavarësisht emrit të kundërshtarit.

“Do të jetë shumë e vështirë, natyrisht. Është finale e Champions League dhe nuk ka rëndësi kush është përballë teje. Duhet vetëm të dalësh në fushë dhe të japësh maksimumin,” përfundoi Kvaratskhelia.

Finalja e Ligës së Kampionëve mes PSG dhe Arsenalit luhet me 30 maj në Budapest./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale