Isak: Jam i vetëdijshëm se ka qenë kohë e gjatë, por jam i lumtur që erdhi ky gol

17:56 | 30 Nëntor 2025
D.H

Përforcimi më i shtrenjtë i verës tek Liverpooli, Alexander Isak më në fund e hapi llogarinë e tij me gola në Premier League, duke zhbllokuar takimin e së dielës me West Hamin në minutën e 60-të.

Me një goditje klinike pas asistimit të zgjuar nga Cody Gakpo, Alexander Isak i dha Liverpoolit epërsinë, ndërsa vetë Gakpo vulosi fitoren në kohën shtesë.

Duke folur për Sky Sports pas ndeshjes, Isak pranoi se ky gol kishte kohë që po e priste.

“Jam i vetëdijshëm se ka qenë kohë e gjatë,” u shpreh ai. “Kam qenë duke u munduar të rikthehem në formën time më të mirë dhe ende jam në rrugë. Por jam i lumtur që erdhi ky gol.”

Sulmuesi suedez tha se ndjenjat e tij ishin të përziera, por më e rëndësishmja ishte fitorja.

“Ndjesia më e mirë sot është që fituam. Kjo e ndihmon atmosferën në grup dhe ndihmon edhe individin. Por sigurisht, si sulmues, golat gjithmonë të ndihmojnë.”

Tri pikët në kryeqytet i dhanë fund serisë prej tre humbjesh radhazi të skuadrës së Arne Slot në të gjitha kompeticionet.

Tani kampionët në fuqi përballen me dy takime të shpejta në ligë ndaj Sunderland të mërkurën në Anfield dhe në udhëtim te Leeds United të shtunën e ardhshme.

Isak kërkon që skuadra të jetë e kujdesshme dhe të mos e marrë fitoren si të mirëqenë.

“Duhet ta shfrytëzojmë këtë fitore në mënyrën e duhur, por të jemi edhe të përulur. Kemi kaluar një periudhë të vështirë. Një fitore nuk do të thotë që jemi kthyer menjëherë – duhet të qëndrojmë të fokusuar dhe të punojmë fort për ta mbajtur këtë momentum”, u shpreh Isak./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme