Brazili dhuron spektakël, fiton miqësoren e tetë golave kundër Panamasë

08:56 | 1 Qershor 2026
E.H

Brazili ka dhuruar një paraqitje mbresëlënëse në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Rio de Janeiro, duke mposhtur Panamanë me rezultatin bindës 6:2.

Kombëtarja e drejtuar nga trajneri italian, Carlo Ancelotti, e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme. Që në minutën e parë, Vinicius Junior realizoi për 1:0 pas një aksioni të nisur nga Casemiro.

Panamaja arriti të barazonte në minutën e 14-të, por më pas fusha i përkiste plotësisht brazilianëve.

Casemiro riktheu epërsinë në minutën e 39-të, ndërsa në pjesën e dytë rrjetën e gjetën edhe Rayan (53’), Lucas Paqueta (60’), Igor Thiago (63’) dhe Danilo Oliveira (81’). Goli i dytë i Panamasë në fund të takimit vetëm sa zbuti disi humbjen.

Pas ndeshjes, Ancelotti u shpreh shumë i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij.

“Një mbrëmje e mrekullueshme, falë tifozëve që krijuan një atmosferë fantastike. Një fitore si kjo na jep shumë vetëbesim. E nisëm ndeshjen me qëndrimin e duhur dhe me përkushtim të madh”, deklaroi trajneri brazilian.

Kjo fitore përbën një sinjal pozitiv për Brazilin, i cili tregoi efikasitet në sulm dhe dominim gjatë pjesës më të madhe të takimit. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale