Ish-futbollisti legjendar rumun, Gheorghe Hagi, është emëruar të hënën selektori i ri i Kombëtares së Rumanisë, duke e pasuar të ndjerin Mircea Lucescun, i cili e mbante këtë post që nga viti 2024. Hagi ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare.
Kjo do të jetë hera e dytë që 61-vjeçari merr drejtimin e përfaqësueses rumune. Si lojtar, Hagi ka zhvilluar 124 ndeshje me Rumaninë dhe ka shënuar 35 gola.
Ai u emërua trajner i kombëtares për herë të parë në vitin 2001, menjëherë pas përfundimit të karrierës, por atëherë e drejtoi ekipin vetëm në katër ndeshje, përpara se në vitin 2003 të merrte drejtimin e klubit turk Bursaspor.
Në karrierën e tij si trajner, Hagi ka punuar në Turqi dhe Rumani. Ai u shpall kampion i Rumanisë me Viitorul (2017) dhe Farul (2023) – klube nga Konstanca, qyteti ku nisi rrugëtimin e tij futbollistik.
Me Viitorul fitoi edhe Kupën e Rumanisë (2019). Në Turqi, Hagi e ka drejtuar Galatasarayn në dy mandate, ndërsa me gjigantin e Stambollit e fitoi Kupën në vitin 2005.
Presidenti i Federatës Rumune të Futbollit, Razvan Burleanu, e konfirmoi rikthimin e Hagi në prezantim: “Pas disa përpjekjeve me kalimin e kohës për të sjellë Gheorghe Hagi në krye të ekipit kombëtar, sot kemi arritur në atë ditë të lumtur dhe mund të konfirmojmë se ai po kthehet në ekipin kombëtar”.
Ndërsa vetë Hagi u shpreh se e ndien si nder dhe përgjegjësi rikthimin: “Është një nder dhe një përgjegjësi e madhe të përfaqësoj Rumaninë edhe një herë, siç bëra si lojtar. Shpresoj të kem sukses në këtë si trajner, sepse e vetmja gjë që ka rëndësi është performanca dhe suksesi. Kjo është arsyeja pse iu bashkova ekipit kombëtar dhe jam i bindur se mund të arrijmë arritje të bukura”.
Misioni i parë për Hagin është Liga e Kombeve, edicion i cili nis nga 25 shtatori deri më 17 nëntor të këtij viti. Ndërkohë, në vitin 2027 do të nisin kualifikimet për Euro 2028, që do të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar dhe Republikën e Irlandës.
Britania e Madhe i ndalon hyrjen influencueses që dogji Kura...
“Synojmë turistët që konsumojnë shumë”, Rama kritika për tre...
Irani do të vendosë “si të vazhdojë” ndërsa afat...
Ngjarje e rëndë në Mushtisht të Suharekës: Vdes 48-vjeçari, ...
E papritur, jep dorëheqje shefi i Apple, kompania zyrtarizon...
Alergjitë ushqimore: Mbi 90 për qind e reaksioneve lidhen me...