Kombëtarja e Kosovës ka pozitën më të lartë në histori në ranglistën e FIFA-s pas përditësimit gjatë ditës së sotme (e enjte), 3 prill 2025, ndërsa kombëtarja e Shqipërisë ka rënë për një pozitë.
Gjithsej 245 duele ndërkombëtare janë kryer në nivel global që nga ndeshjet e dhjetorit t 2024.
Ekipet nga Afrika, Azia, Oqeania dhe Amerika e Jugut u paraqitën të gjitha në kualifikimet e Kupës së Botës 2026, ndërsa skuadrat e Concacaf dhe ato evropiane të UEFA-s luftuan në garat e tyre përkatëse të Ligës së Kombeve dhe kontestuan ndeshje miqësore.
Këto gara kanë bërë ndryshime të shumta në versionin më të fundit të renditjes së FIFA-s, duke përfshirë disa turbulenca në top 10.
Argjentina ka mbetur në pozitën e parë, Spanja ka kaluar në vendin e dytë, Franca ka rënë në vendin e tretë dhe Anglia e Brazili kanë ruajtur pozitat katër dhe pesë.
Në pozitën e gjashtë është ngjitur Holanda, Portugalia ka rënë në vendin e shtatë, teksa Belgjika, Italia dhe Gjermania kanë ruajtur pozitat tetë, nëntë dhe dhjetë.
Në përditësimin e ri, Kosova është ngjitur për dy pozita duke pasur rangimin më të lartë në histori, pas dy fitoreve ndaj Islandës në muajin mars.
Dardanët kanë kaluar nga pozita 99-të në pozitën e 97-të dhe tani kanë gjithsej 1238.38 pikë.
Në anën tjetër, Shqipëria ka rënë nga pozita 65-të në pozitën e 66-të pas humbjes nga Anglia dhe fitores ndaj Andorrës.
Kombëtarja kuqezi momentalisht ka gjithsej 1375.95 pikë në ranglistën e FIFA-s.
Ngritjen më të madhe në këtë përditësim e pati kombëtarja e Mianmarit për shtatë pozita, ndërsa rënien më të madhe ajo e Guinea-Bisau me tetë vende. /Telegrafi/
Mungesë banesash në Zvicër: Një apartament 60-vjeçar ofrohet...
Varka me 20 emigrantë fundoset pranë bregdetit jugor të Kret...
Serbi: Familjet shqiptare kërkojnë drejtësi për të zhdukurit
Nuk u ndalua në pikën e kontrollit, policia e Cyrihut arrest...
Tragjedia në Zakynthos të Greqisë ku qeni mbyti 2 vjeçarin s...
“Mos më kërcëno!” – Londrimi i drejtohet Labinotit