Drita rikthehet në elitën e basketbollit kosovar, mposht Prizrenin në finalen e Ligës së Parë

21:41 | 20 Prill 2026
D.H

KB Drita është shpallur kampione e Kosovës në Ligën e Parë, pas fitores së sontme ndaj Proton Cable Prizrenit me rezultat të ngusht 92-91.

Skuadra nga Gjilani e fitoi edhe ndeshjen e parë në Prizren (71:85), duke arritur kështu dy fitore, ku edhe siguron pjesëmarrjen në Superligën e Kosovës për edicionin 2026/27, shkruan Arbresh.info.

Të udhëhequr nga Dritëro Sefaja, gjilanasit ndeshjen e sotme e nisën mjaft mirë duke e mbyllur pjesën e parë në epërsi me rezultat 47-41.

Mirëpo skuadra e Arbnor Rifatit tregoi shpirt luftarak dhe luftoi deri në çastet e fundit për ta barazuar serinë. Madje, Rron Dahsyla në aksionin e fundit pati mundësinë ta fitoj takimin por depërtimi i tij u bllokua nga një lojtar i Dritës, dhe bardhekaltrit e fituan ndeshjen.

Më të dalluarit në fitoren e Dritës ishin Walker me 20 pikë, Adhurim Aliaj me 19 sosh dhe Adrian Ibishi shtoi 18 tjera.

Tek Prizreni nuk mjaftuan super performancat e Dahsylës me 23 pikë dhe Ajazajt me 21 sosh për ta shmangur.

Kështu edicionin e ardhshëm Drita do të luaj në elitën e basketbollit kosovar, kurse skuadra e Arbnor Rifatit do të kërkojë rikthimin në Superligë edicionin e ardhshëm.

Kujtojmë se nga Superliga e Kosovës, nuk ka arritur të mbijetojë Vëllaznimi, klub i cili do të bëj gara në Ligën e Parë vitin e ardhshëm./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale