Sekuestrohen rreth 300 kg duhan në Viti, dyshohet se u kontrabanduan nga Maqedonia e Veriut

09:10 | 1 Qershor 2026
E.H

Policia e Kosovës, njësia Task Forca – DRK Jug, ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme të mallrave të dyshuara të kontrabanduara në komunën e Vitisë.

Sipas njoftimit, pas pranimit të informatave për mallra të dyshuara të fshehura në një shtëpi të pabanuar, njësitë policore kanë ndërmarrë veprime operative dhe hetimore, duke identifikuar dhe kontrolluar objektin.

Me autorizim verbal të prokurorit kompetent, gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar rreth 300 kilogramë duhan i përpunuar, i gatshëm për treg.

Policia bën të ditur se vlera e mallit të sekuestruar llogaritet rreth 6,000 euro, ndërsa shmangia nga obligimet doganore dhe akciza rreth 12,000 euro.

Mallrat e sekuestruara i janë dorëzuar Doganës së Kosovës, ndërsa rasti është duke u hetuar./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale