Belgrano fiton titullin historik pas rikthimit të çmendur ndaj Riverit

13:02 | 27 Maj 2026
E.H

Superliga e Argjentinës solli një tjetër histori të pabesueshme: në finalen e Apertura 2026, Belgrano arriti të mposhtte River Plate me rezultat 3-2 dhe të shpallej kampion për herë të parë në histori.

Skuadra nga Cordoba bëri një rikthim spektakolar, pasi ishte në disavantazh deri në minutën e 85-të. Heroi i mbrëmjes ishte Nicolas Fernandez, i cili realizoi dy gola dhe i dhuroi klubit trofeun e parë pas 121 vitesh ekzistence.

Kjo finale kishte edhe një domethënie të veçantë historike. Pikërisht 15 vite më parë, River Plate kishte rënë nga elita e futbollit argjentinas pasi ishte mundur nga Belgrano në “play-off”. Në Cordoba, Belgrano kishte fituar 2-0, ndërsa në “Monumental” ndeshja kishte përfunduar 1-1.

Që prej asaj kohe ekipet janë përballur shumë herë, me Riverin që zakonisht ka dominuar dhe madje ka eliminuar Belgranon në disa raste nga kupa, por asnjë ndeshje nuk kishte peshën e një finaleje për titull.

Interesant është fakti se tre figura ishin pjesë e të dy momenteve historike. Carlos Olave, ish-portieri që atëherë priti penalltinë vendimtare ndaj Mariano Pavone, sot është trajner i portierëve te Belgrano. Franco Vazquez vazhdon ende të luajë dhe në finale kontribuoi duke asistuar golin vendimtar. Ndërkohë, trajneri Ricardo Zielinski mbetet simboli kryesor i këtij projekti, pasi ai e kishte udhëhequr klubin edhe në suksesin historik ndaj Riverit vite më parë.

Askush nuk e kishte parashikuar këtë rrugëtim të Belgranos. Ata e mbyllën fazën e rregullt vetëm në vendin e pestë të grupit, me shtatë fitore në 16 ndeshje. Në fazën eliminatore eliminuan Talleres në derbin e Cordobës, duke i dhënë fund një serie shumëvjeçare pa fitore ndaj rivalit lokal. Më pas kaluan Unionin dhe në gjysmëfinale eliminuan Argentinos Juniors pas penalltive, falë një goli dramatik të Nicolas Fernandez në kohën shtesë.

Finalja u zhvillua në “Mario Alberto Kempes” në Cordoba, stadium që ishte zgjedhur si terren neutral shumë kohë më parë, pa e imagjinuar askush se Belgrano do të arrinte deri aty. Në fund, stadiumi ishte pothuajse i ndarë mes tifozëve të dy skuadrave.

Triumfi erdhi edhe në një datë me simbolikë të madhe për qytetin. Më 24 maj festohet ditëlindja e këngëtarit legjendar Rodrigo Bueno, ikonë e muzikës “cuarteto” dhe tifoz i madh i Belgranos. Klubi dhe tifozët e përjetuan suksesin si një homazh për të.

Ky titull ka hyrë në histori edhe për një arsye tjetër: Belgrano u bë klubi i parë jashtë Buenos Airesit dhe Rosario-s që fiton kampionatin argjentinas. Për më shumë se një shekull, trofetë kishin mbetur vetëm në ato qytete dhe në La Plata.

Formati i ri me “play-off” po e bën kampionatin shumë më të paparashikueshëm. Në shtatë sezonet e fundit, Argjentina ka pasur shtatë kampionë të ndryshëm: Belgrano, Rosario Central, Estudiantes, Platense, Velez Sarsfield, River Plate dhe Boca Juniors. Tani pyetja e vetme është: kush do të jetë kampioni i ardhshëm?

Shpërndaje në rrjete sociale