Takimi me kongresistët amerikanë, Haxhiu: Anëtarësimi në NATO, siguri për Kosovën

13:25 | 27 Maj 2026
E.H

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, është takuar të mërkurën me dy kongresistët amerikanë, Keith Self dhe Suhas Subramanyam, të cilët po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.

Pas takimit, në një njoftim për media janë bërë të ditura temat e diskutimit, me ç’rast Haxhiu ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe të Kongresit Amerikan ndaj Republikës së Kosovës.

“Për Kosovën, miqësia me Shtetet e Bashkuara është edhe institucionale por edhe personale. Populli ynë e mban mend kush qëndroi pranë nesh në momentet më përcaktuese të historisë sonë moderne”, ka thënë Haxhiu.

Gjithashtu, siç thekson njoftimi, Haxhiu ka falënderuar kongresistin Self për mbështetjen e tij të qartë ndaj rrugës së Kosovës drejt NATO-s, si dhe për vëmendjen ndaj të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“U.d. Presidentja Haxhiu theksoi se për Kosovën, anëtarësimi në NATO është çështje e sigurisë afatgjatë, paqes rajonale dhe vendit të natyrshëm të Kosovës mes shteteve demokratike. U.d. Presidentja Haxhiu vlerësoi gjithashtu praninë e kongresistit Subramanyam në këtë delegacion, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fusha si teknologjia, siguria kibernetike, arsimi, inovacioni dhe shërbimi publik.”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në rrjete sociale