Kapiteni i kombëtares kroate, Luka Modric, mund t’i japë fund karrierës së tij të jashtëzakonshme si futbollist pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, raportojnë mediat spanjolle dhe italiane.
Sipas gazetës “AS”, e cila i referohet burimeve italiane dhe gazetarit Nicola Schira, mesfushori veteran po e konsideron seriozisht pensionimin, ndërsa mungesa e Milanit në Ligën e Kampionëve ka ndikuar ndjeshëm në këtë vendim.
Modric u vu në qendër të vëmendjes pas humbjes së Milanit ndaj Cagliarit, rezultat që i la kuqezinjtë pa mundësinë për të luajtur në kompeticionin më prestigjioz evropian sezonin e ardhshëm. Sipas raportimeve, pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve ishte një nga kushtet kryesore që kroati të vazhdonte aventurën e tij në Milano.
Mediat italiane shkruajnë se pas ndeshjes Modric mori kohë për të reflektuar mbi të ardhmen e tij dhe se mundësia e pensionimit po bëhet gjithnjë e më reale. Kontrata e tij me Milanin po shkon drejt fundit, megjithëse drejtuesit e klubit dëshirojnë ta mbajnë edhe për një sezon tjetër.
Dështimi për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve ka shkaktuar ndryshime të mëdha në klub, me trajnerin Massimiliano Allegri që ishte një nga figurat e para që u largua nga posti.
Pavarësisht situatës sportive, Modric kishte gjetur stabilitet në Milano dhe kishte një rol të rëndësishëm në skuadër, ndërsa familja e tij ishte përshtatur mirë me jetën në Itali.
Mesfushori kroat pritet të marrë së shpejti vendimin përfundimtar, pasi kombëtarja e Kroacisë do të udhëtojë drejt Kupës së Botës në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Në Kupën e Botës, Kroacia do të jetë në grup me Anglinë, Panamanë dhe Ganën. Kroatët do ta nisin turneun më 17 qershor kundër Anglisë, më pas do të përballen me Panamanë më 24 qershor dhe do ta mbyllin fazën e grupeve ndaj Ganës më 27 qershor.
Në varësi të rrugëtimit të Kroacisë në turne, këto mund të jenë paraqitjet e fundit të Luka Modric në një nga karrierat më të mëdha në historinë e futbollit botëror. /Telegrafi/
Haxhiu priti në takim kongresistët amerikanë
Vdes Hafiz Gagica, veprimtar i çështjes kombëtare në diaspor...
Modric po mendon seriozisht tërheqjen nga futbolli, fundi mu...
OBSH: Rast i ri i hantavirusit në Spanjë, shkon në 13 numri ...
Haxhiu: Festa e Bajramit na kujton vlerat përreth së cilave ...
Osmani në BIK për Kurban Bajram, fton për solidaritet dhe be...