46-vjeçari nga Kosova arrestohet në Ulqin, dyshohet se vrau gruan me të cilën ishte në lidhje dhe më pas i vuri zjarrin shtëpisë

13:27 | 27 Maj 2026
E.H

Një kosovar me inicialet B.G, është arrestuar mbrëmë në Ulqin nën dyshimin se gjatë natës mes të martës dhe të mërkurës ka vrarë një grua me të cilën ishte në lidhje dhe më pas i ka vënë zjarrin shtëpisë ku jetonin, raportojnë mediat malazeze, përcjell Reporteri.net.

46-vjeçari ka marrë lëndime nga zjarri dhe është transportuar për trajtim mjekësor. Viktima është një shtetase e Shqipërisë, me inicialet D.N, e moshës 36-vjeçare.

“Policia, në një kohë shumë të shkurtër, identifikoi dhe vuri nën kontroll personin i cili, siç dyshohet, gjatë natës ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë ndaj bashkëshortes së tij jashtëmartesore, e më pas ka vënë zjarrin në vendngjarje, në shtëpinë ku jetonin së bashku, në lagjen Kodre në Ulqin. Departamenti i Sigurisë në Ulqin është njoftuar sonte rreth orës 00:30 se në një objekt banimi, një shtëpi në lagjen Kodre, kishte shpërthyer zjarr. Zyrtarët policorë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është gjetur trupi i pajetë i një personi të panjohur, i identifikuar më vonë si D.N. (36), shtetase e Shqipërisë”, ka njoftuar Policia e Malit të Zi.

Policia ka marrë inicizimet nga kamerat e sigurisë të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës.

“Për rastin është njoftuar prokurori shtetëror në Prokurorinë e Lartë Shtetërore në Podgorica. Zyrtarët policorë, në koordinim dhe me urdhër të prokurorit kompetent, kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet për zbardhjen e rastit, kanë marrë deklarata nga disa persona dhe kanë sekuestruar incizime nga kamerat e mbikëqyrjes, si dhe prova materiale nga vendi i ngjarjes që do t’i nënshtrohen ekspertizës. Veprimet e deritanishme policore dhe prokuroriale tregojnë dyshimin se B.G. ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ka vënë zjarrin në vendngjarje dhe më pas është larguar nga aty”, thuhet në njoftim.

Prokurorja e Shtetit e ka cilësuar veprën si vrasje të rëndë.

“Trupi i viktimës D.N. është dërguar për obduksion mjeko-ligjor në Qendrën Klinike në Podgoricë, ku do të përcaktohet shkaku i vdekjes dhe rrethanat e sakta në të cilat ka ndodhur vdekja. Personi B.G. është vënë nën kontroll dhe policia po e ruan në Qendrën Klinike, ku po trajtohet për djegiet që ka pësuar gjatë ngjarjes. Publiku do të njoftohet me kohë për më shumë informacione rreth rastit nga organet kompetente që po merren me hetimin”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në rrjete sociale