Prokuroria e Tiranës: “Arrest me burg” për policin që vrau Rashën

18:16 | 10 Dhjetor 2020

Prokuroria e Tiranës do të kërkojë masën e sigurisë arrest me burg, për oficerin e policisë Nevaldo Hajdaraj, i moshës 31 vjeç, i cili vrau 25-vjeçarin Klodian Rasha.

Ai akuzohet për vrasje duke tejkaluar kompetencat, vepër penale që parashikon dënimin deri në 7 vite burg.

Për të hedhur dritë mbi atë së çfarë ndodhi natën e 8 Dhjetorit, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme, ka zhvilluar një takim me grupin hetimor në Prokurorinë e Tiranës.

Prokuroria po analizon provat dhe të dhënat e mbledhura mbi vrasjen e Klodian Rashës. Pjesë e tyre janë edhe disa kamera sigurie që kanë fiksuar një pjesë të lëvizjes së të riut dhe efektivit të policisë.

Ata kanë rindërtuar skenën e vrasjes dhe po hetojnë ngjarjen që në momentin kur polici i forcave “Shqiponja”, Nevaldo Hajdaraj i kërkoi të ndalonte Klodian Rashës dhe ai u largua me vrap në drejtim të shtëpisë.

Zyrtarisht, Policia e Tiranës tha se gjeti një pistoletë larg vendit ku u vra i riu, por ende nuk dihet nëse i përket 25-vjeçarit. Burime nga Laboratori Kriminalistik saktësuan se gjurmët në armë nuk janë verifikuar akoma.

Për efektivin e policisë kanë nisur procedurat për përjashtim nga radhët e uniformave blu./ Tv Klan

Lajmet më të lexuara