Google ADS

Luan Rama: Synimi i LSI, një drejtim i ri i qeverisë

13:35 | 1 Qershor 2017
Arbresh.info

Lëvizja Socialiste për Integrim në zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri vjen me një synim, atë të një drejtimi të ri të qeverisë. Luan Rama, sekretar i përgjithshëm i kësaj partie në një konferencë për mediat tha se në qeveritë e mëparshme, LSI ka qënë garanci e stabilitetit të qeverisjes.

“Ne kemi qënë në qeverisje si garanci e stabilitetit të qeverisjes, si garanci e funksionimit normal të institucioneve të vendit. Po, kemi qënë në qeverisje si garanci e reformave në kuadër të proçesit të integrimit europian të vendit, por dhe si profilaksi përballë arrogancës, mendjemadhësisë dhe abuzimit të qeverive. Ndërkaq, LSI në të dy qeveritë nuk ka patur asnjëherë drejtimin e qeverisë, prandaj jemi sot përballë qytetarëve, prandaj oferta jonë është për LSI forcë e parë për një drejtim të ri të qeverisë, për atë drejtim që duan qytetarët larg konfliktit”, tha Luan Rama.

Përsa i përket hartimit të listave të zgjedhësve, Luan Rama tha se nuk ka pasur asnjë kushtëzim nga pjesëmarrja apo jo e opozitës në zgjedhje.

“Listat e LSI janë bërë duke patur parasysh vetëm një prioritet, përfaqësim dinjitoz dhe me kurajo përballë qytetarëve me lista që ofrojnë modelin më të mirë të përfaqësimit, në mënyrë të veçantë duke respektuar me seriozitet shansin e barazisë gjinore dhe duke përfshirë në lista të rinj me zotësi dhe angazhim shembullor që do të bëjë të mumdur që Parlamenti i ri të jetë krejt i ndryshëm. Asnjë kushtëzim nuk ka patur renditja prej faktit nëse do të futet apo jo opozita në zgjedhje’

” Ne jemi nisur vetëm nga fakti që qytetarët të gjejnë në listat e LSI përfaqësuesit e tyre më dinjitozë dhe zëdhënës reale të shqetësimeve të tyre. Sa për vendin tim ju siguroj që do të kisha të njëjtën garanci për të qënë deputet në parlamentin e ardhshëm dhe nëse do të isha i 10-ti. LSI, sidomos në Tiranë, është e barabartë në garë me PS. Ne luftojmë përballë PS për vendin e parë në Tiranë, në Durrës, Elbasan, Fier, ndërkohë që jemi absolutisht të parët në qarkun e Beratit dhe Gjirokastrës”, tha Rama, raporton TCH

Shpërndaje në rrjete sociale