Linda tregon të pathënat: Si është të jetosh me Edi Ramën

00:14 | 19 Qershor 2021

Nga shoqërimi i Zahos me makinë për në shkollë, te zgjedhja për të qëndruar jashtë fokusit të medias/ Rrëfehet Linda Rama: Edi shqetësohej thellësisht për…

Bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama, ka treguar përse ka zgjedhur të mos jetë më vizibël në media që prej martesës me Edi Ramën, si i ka përjetuar sulmet dhe akuzat politike, si dhe ka zbuluar detaje të jetës së përditshme.

Në një intervistë ajo rrëfen se ka hequr dorë nga shërbimet shtetërore, nuk ka punonjës sigurie dhe ka zgjedhur të mos shoqërojë asnjëherë jashtë vendit bashkëshortin e saj.

Teksa risolli në vëmendje daljen e parë publike si bashkëshortja e Edi Ramës politikan dhe më pas si kryeministër, pritshmërinë e opinionit publik apo paragjykimet e pashmangshme, znj. Rama tha se dilemat se si do të duhej të performonte në krah të bashkëshortit të saj në krye të vendit, morën fund që ditën e parë që ai mori detyrën kur ajo, siç tha, vendosi t’i refuzonte të gjitha shërbimet kryeministrore që i takonin me ligj.

“Unë që në ditën një, për të shmangur pikërisht këtë që thatë ju, këtë “futjen e hundëve”, privilegjet … sapo m’u dha rasti refuzova të gjithë ekipin e shërbimit që ishte i presupozuar të shërbente si më përpara në familjen e kryeministrit dhe atëherë kam insistuar që ekipi i shërbimit të familjes së kryeministrit të zhvendosej në Kryeministri me bindjen që kryeministri me orë të gjata është aty”, u shpreh znj. Rama.

E pyetur lidhur me zgjedhjen për të qëndruar larg daljeve të shpeshta, znj. Rama shpjegoi se kjo ishte një zgjedhje e qëllimshme dhe e menduar.

“Kam qenë më vizibël deri në momentin kur u martova me Edin dhe fillova të jetoja me të. Profesionalisht gjithmonë flas, kam qenë shumë më aktive, por gjithsesi mu desh që të modifikoja diçka në të gjithë qasjen e shpalosjes në publik.

Edhe me audiencat, jo domosdoshmërisht në publik, por në audienca sepse ti në momentin që jeton me një politikan sigurisht mund të trajtosh me audiencë profesionin tënd, por ka të ngjarë që lajmi në fakt të jetë i lidhur me pjesën publike të asaj që ti je,” u shpreh znj. Rama.

“Për ta shmangur këtë lloj keqkuptimi, por edhe për të respektuar vullnetin e njerëzve, sepse kjo është e vërteta, ata kanë zgjedhur Edin për të qenë protagonist, ata kanë zgjedhur Edin për t’i eksperimentuar të gjitha format e tij dhe Edi është shumë më i dobishëm në këtë aspekt për njerëzit kështu që unë kam dashur që t’ia lë këtë arenë Edit dhe këtë kam bërë,” shtoi ajo.

Linda Rama u ndal edhe te sulmet dhe akuzat politike.

“Në momentin që unë kam filluar të jetoj me Edin, jam martuar me Edin në vitin 2010 dhe dihet që në atë periudhë për disa vite Edi ishte në fokus të shumë sulmeve dhe shumë akuzave të cilat në fakt, ndonjëherë merrnin dhe trajta të paimagjinueshme duke sakrifikuar, duke mos marrë parasysh as gra, as të vdekur dhe as fëmijë.

Kjo ishte klima dhe unë kisha vendosur, e dija që kisha vendosur të lidhja jetën me një njeri me vokacion shumë të qartë politik dhe ndërkohë një njeri i cili kishte pretendimin dhe ambicien për t’u bërë kryeministri i Shqipërisë,” tha znj. Rama.

Lidhur me përjetimin emocional të këtyre sulmeve, znj. Rama tregon se “ishte si një breshëri, të jetoje si në breshëri, që jo në pak raste pasohej nga një mërzi e madhe”.

Duke qëndruar krah kryeministrit socialist Edi Rama, bashkëshortja e tij tregon se pavarësisht eksperiencës shumëvjeçare në përballimin e këtyre sulmeve, Rama vetë shqetësohej thellësisht për pasojat që ato linin tek njerëzit e afërt që nuk kishin zgjedhur politikën.

Gjatë intervistës në Euronews Albania, znj. Rama nuk kurseu këshillat dhe sugjerimet për mënyrën se si duhet ta drejtojë Rama vendin në mandatin e tretë, ndërsa tha se Shqipëria ka nevojë për zhvillim cilësor dhe standarde të reja.

“Edi thotë që mandati i tretë s’duhet t’i ngjajë dy mandateve të para. Biem dakord për këtë dhe kur hapet ndonjë aspekt më konkret fillojmë flasim. Por ajo që do të thoja unë se si do ta organizojnë këtë mandat është çështje e Partisë Socialiste dhe e Edit. Por, ajo që do të thoja unë është që Shqipëria ka arritur në pikën që ka nevojë për zhvillim cilësor dhe për standard. Ky duhet të jetë fokusi dhe mendoj që Shqipëria nuk ka më kohë që të presë që cilësia dhe standardi të jenë kryefjala e çdolloj gjëje që i ofrohet”, theksoi ajo.

Ajo tregoi se brenda ambienteve të Kryeministrisë ka një ambient të quajtur Dhoma e Luleve, ku mund të konsumohet dreka ose darka. Linda Rama tregon se vazhdon ta shoqërojë vetë me makinë djalin e saj Zaho, çdo ditë që ai shkon në shkollë, duke e konsideruar këtë një nga kënaqësitë më të bukura nga e cila nuk ka hequr dorë.

Ajo tha se nuk ka punonjës sigurie dhe me vetëdije kishte zgjedhur të mos e shoqëronte asnjëherë jashtë vendit bashkëshortin e saj, përveç rasteve kur prezenca e saj në vizitat e tij nevojitej për arsye protokollare.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara