Haxhiu përkujton martirët e Korishës: Dëshmi e rëndë e asaj që regjimi serb bëri mbi popullsinë civile shqiptare

14:50 | 13 Maj 2026
E.K

U.d. e presidentes, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar martirët e masakrës së Korishës në përvjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike të luftës në Kosovë.

Përmes një statusi publik, Haxhiu tha se më 13 maj në Korishë humbën jetën 77 civilë shqiptarë, mes tyre 30 fëmijë, si dhe 11 martirë të tjerë të rënë gjatë periudhës mars-qershor 1999.

Ajo theksoi se Korisha mbetet dëshmi e krimeve të kryera ndaj popullsisë civile shqiptare gjatë luftës, duke përmendur dëbimet, ndalimet dhe marrjen peng të civilëve nga forcat serbe.

Postimi i plotë:

Sot përkulemi me respekt para kujtimit të martirëve të masakrës së Korishës, një nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë.

Me 13 maj në Korishë humbën jetën 77 civilë shqiptarë, mes tyre 30 fëmijë, si dhe 11 martirë të tjerë të rënë gjatë periudhës 24 mars 1999 deri në qershor 1999.

Në Korishë dhe në fshatrat përreth, civilët shqiptarë u dëbuan, u ndaluan gjatë dëbimit, u grumbulluan dhe u mbajtën nën trysninë e forcave serbe. Një numër civilësh u morën peng dhe u detyruan t’i shërbejë forcave sërbe, të cilët i përdoren për të bërë roje dhe ndërtuar gardhe.

Aty takuam edhe një ndër të mbijetuarit e masakrës, Genc Ahmetaj i cili na rrëfeu tmerrin e asaj nate.

Korisha është dëshmi e rëndë e asaj që regjimi serb bëri mbi popullsinë civile shqiptare: i dëboi nga shtëpitë, i ndali në rrugë, i mori peng, i përdori për nevoja ushtarake dhe pastaj u përpoq ta shtrembëronte të vërtetën.

Familjet e viktimave kanë të drejtë për drejtësi, dhe institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë pranë tyre deri në zbardhjen e plotë të krimeve të luftës.

I përhershëm qoftë kujtimi për martirët e Korishës./Arbresh.info