Dorëzuan aparate fotokopjimi të servisuara në vend të të rejave, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj një personi dhe një kompanie

14:45 | 13 Maj 2026
E.K

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet B.P. dhe kompanisë “B. Sh.P.K.”, nën dyshimin për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti lidhet me një kontratë publike të lidhur më 22 dhjetor 2023 në Komunën e Dragashit, për furnizimin e shkollave me 16 aparate fotokopjuese.

Prokuroria dyshon se i pandehuri, në cilësinë e personit të autorizuar të operatorit ekonomik “B. Sh.P.K.”, ka shkelur kushtet e kontratës duke dorëzuar aparate të ri-fabrikuara dhe jo pajisje të reja, siç ishte paraparë në marrëveshje.

“Sipas aktakuzës, me datë 22.12.2023 në Dragash, i pandehuri B.P., në cilësinë e personit të autorizuar të operatorit ekonomik “B.Sh.P.K.”,, dyshohet se me qëllim ka shkelur rregullat e prokurimit publik duke mos i zbatuar detyrimet që rrjedhin nga kontrata publike me titull “Furnizimi me gjashtëmbëdhjetë copë aparate fotokopjuese për shkolla KK Dragash”. Gjatë realizimit të kontratës, në vend të dorëzimit të 16 aparateve të reja të fotokopjimit, siç ishte paraparë me kontratë, janë dorëzuar 16 aparate të ri-fabrikuara, përkatësisht aparate të vjetra të servisuara në të cilat janë vendosur pajisje të reja shpenzuese. Me këto veprime, Komunës së Dragashit i është shkaktuar dëm ekonomik dhe buxhetor, pasi pajisjet e ri-fabrikuara kanë qëndrueshmëri më të ulët përdorimi, kërkojnë më shumë mirëmbajtje dhe mund të krijojnë kosto shtesë krahasuar me pajisjet e reja”, thuhet në njoftim..

Aktakuzë është ngritur edhe ndaj kompanisë “B. Sh.P.K.” si operator ekonomik fitues i kontratës.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./Arbresh.info