Djegia e mandateve, ndikim te negociatat, Fleckenstein: Mos prisni arbitra nga Brukseli!

13:30 | 21 Shkurt 2019

“Mos prisni që të vijnë gjithmonë arbitra nga Brukseli për të sheshuar çdo grindje”, thotë raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian dhe eurodeputeti gjerman, Knut Fleckenstein, në një intervistë për “Deutsche Welle”-n.

“Protestat paqësore në një demokraci janë të zakonshme dhe të mundura, – shprehet ai. – Megjithatë, e rëndësishme është që të mbeten paqësore dhe të mos e zëvendësojnë punën parlamentare”.

Djegien e mandateve nga deputetët opozitarë, nga ana tjetër e quajti “një lloj prishjeje kontrate”.

“Nuk mund të them nëse kjo është e drejtë apo e gabuar, por di që parlamentarët duhet ta kryejnë punën e tyre në Parlament. Jam i zhgënjyer, që papushim na duhet të flasim për atë që deputetët t’i ushtrojnë apo jo mandatet e tyre”, tha Fleckenstein.

Por, a do të ndikojnë këto protesta në procesin e hapjes së negociatave?

“Po. Jo edhe aq protestat në rrugë për sa kohë ato janë paqësore. Nëse janë të dhunshme është diçka tjetër pastaj, por një vend ku opozita i dorëzon mandatet e saj do ta ketë më të vështirë ‘të shesë’ reformat pozitive të tij, sesa kur Parlamenti do të vazhdonte me punën e tij”, tha Fleckenstein.

Sa për vettingun, tek i cili opozita nuk ka besim, Fleckenstein thotë se ka dëgjuar nga amerikanët që e shoqërojnë këtë proces dhe nga misioni i BE-së, se “ai po ecën i pastër dhe i rregullt”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara