Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka vlerësuar progresin e vendit në procesin e integrimit evropian, duke e cilësuar atë si një nga hapat më të rëndësishëm deri tani në rrugën drejt BE-së.
Me anë të një postimi në Facebook, zyra e BE në Tiranë, teksa citon Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, shprehet se Shqipëria është bërë vendi i dytë kandidat, pas Malit të Zi, që ka përmbushur standardet e ndërmjetme në fushën e shtetit të së drejtës.
Komisionerja Kos thekson se ky është një moment për t’u festuar, por edhe një moment për të thelluar reformat, për të përfshirë të gjitha forcat politike dhe shoqërinë civile, në mënyrë që ndryshimet të ndikojnë realisht në jetën e qytetarëve.
“Shqipëria ka hedhur një nga hapat më të rëndësishëm deri tani në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
Ajo u bë vendi i dytë kandidat, pas Malit të Zi, që përmbush standardet e ndërmjetme për sundimin e ligjit.
Shtetet Anëtare kanë përcaktuar objektivat përfundimtare për sundimin e ligjit, të drejtat themelore, drejtësinë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kjo do të thotë se Shqipëria tani mund të ecë drejt mbylljes së kapitujve në negociatat e saj me BE-në.
Kjo është një arritje e madhe. Është rezultat i më shumë se një dekade pune të palodhur nga Shqipëria dhe qytetarët e saj.
Shqipëria miratoi ligje për mbrojtjen e të drejtave themelore dhe grupeve vulnerabël. Ajo forcoi të drejtën për një proces të rregullt ligjor. Vetingu përfshiu qindra gjyqtarë dhe prokurorë. U ngritën institucione të reja të drejtësisë për të reduktuar ndikimin politik në sistemin e drejtësisë.
Shqipëria krijoi gjithashtu SPAK-un, Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. SPAK është kthyer në institucionin kryesor kundër korrupsionit në vend dhe sot është institucioni më i besuar në Shqipëri.
Është një moment për t’u festuar. Por është edhe një moment që Shqipëria të thellojë reformat, të përfshijë të gjitha forcat politike, të dëgjojë shoqërinë civile dhe të sjellë ndryshime që ndikojnë realisht në jetën e përditshme të njerëzve.
Një hap i madh përpara. Dhe tani, përsëri në punë,” tha Marta Kos, Komisionere Evropiane për Zgjerimin, e cila citohet edhe nga Zyra e BE në Shqipëri.
Kurti: Pakoja 2.0 ishte planifikuar për shkak të inflacionit...
A do të jetë KFOR’it pjesë e grupit punues për xhandarmërinë...
Sveçla: Xhandarmëria synon forcimin e kufirit dhe rritjen e ...
Xhandarmëria do të bëhet me ligj nga legjislatura e ardhshme...
Kurti: Themelimi i xhandarmerisë është domosdoshmëri, do ta ...
Irani dhe SHBA shkëmbejnë sulme të reja ajrore