“Moonlight” shqetësues për “La La Land”

01:01 | 27 Shkurt 2017

Drama “Moonlight” pati momentin e saj të lavdisë në çmimet Spirit, të ndara një ditë përpara Oskarë-ve.

Historia e jetës së një djaloshi gay me ngjyrë duket se do ta shqetësojë ca rrugën deri tani të patrazuar të “La La Land” drejt vlerësimit më të lartë që ofron industria e kinematografisë.

Muzikali megjithatë nuk ishte pjesë e këtij konkurrimi ku garojnë vetëm filmat me buxhet të ulet.
“Moonlight” u realizua me $1.5m milionë dollarë brenda 25 ditëve, por deri tani ka nxjerrë nga shitja e biletave në Amerikën e Veriut plot $21.5m milionë dollarë.

Ai ka dhe 8 nominime për Oskar, ku “La La Land” vazhdon të kryesojë me 14 të tilla.

Politika ishte në mendjet e shumë prej atyre që zbriten në tapetin e kuq të “Spirit Awards” të shtunën. Peizazhi aktual politik i Shteteve të Bashkuara dhe lufta e fjalëve mes Hollivudit dhe Presidentit Donald Trump, ka përbërë një nga subjektet e preferuara.

Skenaristi i “Hell or High Water”, Taylor Sheridan i tha agjensisë Reuters se Hollivudi nuk do të dorëzohet, por do të bëjë rezistence.

“Kjo është një dhomë plot me njerëz që nuk duan të dëgjojnë fjalën ’Jo’, ndaj reagim do të ketë gjithmonë. Do kisha shpresuar që Trump t`i pëlqente artistët, t`i respektonte ata edhe pse mund të mos i pëlqejë ajo çfarë kanë për të thënë disa prej këtyre njerëzve. Por që t’i dalësh kundër artit, kjo nuk ka funksionuar mire për asnjë lider apo asnjë vend të botës”, tha Sheridan.

Ceremonia e Independent Spirits Awards është paraprita tradicionale e Oskarëve dhe një prej disa eventeve informale të sezonit te ndarjes së çmimeve. Ajo nderon filmat e prodhuara me një buxhet më të vogël se 20 milionë dollarë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara