U raportua se LVV dhe LDK janë afër një marrëveshjeje për presidentin, reagon Haziri

16:58 | 15 Prill 2026
E.H

Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas raportimeve mediatike lidhur me një marrëveshje të mundshme politike mes LDK-së dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas disa raportimeve, bisedimet mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku do të përfshinin jo vetëm zgjedhjen e presidentit, por edhe ndarjen e posteve institucionale, përfshirë kryetarin e Kuvendit.

Në këto raportime thuhej se në një marrëveshje të mundshme LVV–LDK, posti i kryetares së Kuvendit do të ndryshonte, ndërsa për president do të mbështetej një kandidaturë e përbashkët.

Megjithatë, Haziri i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta.

“LDK dhe Kryetari Abdixhiku janë në bisedime për t’i dhënë vendit President. Shkrimet nē media për ndërrime të pozicioneve janë të absolutisht të pavërteta. LDK është parti e shpresës dhe e besës dhe angazhohet në vazhdimësi për insititucione funksionale e përfaqësuese. Është dëshmuar tashmë se një parti dhe një udhëheqës janë të pamjaftushëm për arritjen e qëllimeve politike të Republikës”, ka shkruar Haziri.

Shpërndaje në rrjete sociale