Shkalla e lartë e ndotjes së ajrit që po mbretëron tash sa ditë në kryeqytet, e shumë qytete tjera, kjo ka bërë që numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore të rritet. Më të rrezikuarit janë fëmijët. Këtë e ilustron fakti se në Klinikën e Pediatrisë në QKUK është duke u rritur numri i fëmijëve me probleme në frymëmarrje. Drejtoresha e kësaj klinike, Drita Telaku, ka apeluar të qytetarët që të mos i ekspozojnë fëmijët gjatë ditëve kur ndotja e ajrit është e lartë.
Cilësia e ajrit në Prishtinë në muajt e fundit ka arritur shifra alarmante. Sipas Qendrës për matjen e cilësisë së ajrit, të vendosur nga Ambasada Amerikane, shkalla e ndotjes ka arritur deri në 400 ppm. Niveli i lartë i ajrit të papastër ka ndikuar edhe në shëndetin e banorëve në kryeqytet.
Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Drita Telaku, tha për televizionin publik se në këtë klinikë ditëve të fundit është regjistruar numër më i madh i fëmijëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Duke folur për ndikimin e ajrit të ndotur në shëndetin e fëmijëve, Telaku u ka bërë thirrje qytetarëve që të evitojnë ekspozimin e fëmijëve gjatë kohës kur ajri është i ndotur.
”Në sistemin respirator sidomos te fëmijët që kanë ndjeshmëri më të madhe bronkiale, te ata ndikon më shumë. Prandaj, gjithmonë janë këshillat për prindër: vendosini fëmijëve një shall në gojë kur doni të dilni. Mundësisht në orët e mbrëmjes ose kur e vëreni që është mjegull mos i qitni fëmijët pa nevojë jashtë. Këto janë disa masa të përgjithshme, mirëpo është e pamundur të izolohesh prej ajrit, sido që të jetë”, thotë Telaku.
Se ka fluks të rritur të pacientëve e konfirmon edhe kryeshefi ekzekutiv në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Sami Uka. Këtë fluks ai e arsyeton edhe me sezonin e dimrit duke mos përjashtuar edhe ndikimin e cilësisë së ajrit.
”Vërehet një fluks më i madh i pacientëve. Mirëpo, ai fluks i rritur nuk mund t’i përshkruhet vetëm ajrit të ndotur. Është sezoni i gripave, ndërrimit të temperaturave, kështu që në përgjithësi është numër më i madh i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore te ne”, thotë Uka.
Organizata Botërore të Shëndetësisë, ka shprehur shqetësim se ndotja e ajrit është një nga kërcënuesit më të mëdhenj për shëndetin. Sipas kësaj organizate, ajri i ndotur vret mbi 7 milionë njerëz në vit.
Ndryshe për ndihmuar në përmirësimin e ajrit të ndotur në kryeqytet, ditë më parë është ndaluar shitja e thëngjillit (lëndë kjo që shfrytëzohet për ngrohje nga qytetarët). Po ashtu Ministria e Ambientit ka paralajmëruar se së shpejti do të ngritët një Task-Forcë për ajrin e ndotur.
KQZ nis shpërndarjen e materialit zgjedhor për zgjedhjet e 7...
Starmer sulmon FIFA-n: Po bën biznes të fëlliqur në kurriz t...
Lëvizja Vetëvendosje mban sonte tubimin përmbyllës zgjedhor ...
KQZ mban tri konferenca për media gjatë ditës së votimit në ...
Pacolli kritikon sistemin gjyqësor në Shqipëri: Po sfidohen ...
Sulme dhe kundërsulme: Irani dhe ShBA shkëmbejnë goditje në ...