Qëndrimi i BE-së dhe ekspertëve për ristrukturimin e mundshëm të ministrive

08:31 | 20 Mars 2021 | Mira AVDIMETAJ

Administrata publike është segment shumë i ndjeshëm ne sistemin “nervor” të shtetit. Andaj, njohësit vlerësojnë se nuk preferohet që të bëhen rikonstruktime të vazhdueshme varësisht nga partitë që vijnë në pushtet.

Fituesi i zgjedhjeve të fundit në vend, Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore ka paralajmëruar se do të ristrukturojë numrin e ministrive.

Sipas zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, i përket çdo qeverie të re që të vendos rreth numrit të ministrive dhe organizmit të saj në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Objektivat e ndryshme apo të reja politik-bërëse apo qëndrimet e reja rreth funksionit te administratës publike mund të kërkojnë ndryshime në organizimin e qeverise. Ministritë themelohen sipas nevojës që t‘i zbatojnë punët e qeverise”, thuhet në përgjigjen e BE-së për portalin arbresh.info.

Bashkimi Evropian vazhdimisht i ka kushtuar rëndësi finalizimit të reformës në Administratën Publike.

Por, Kosova ende nuk ka reformë strikte për Administratën Publike. Përmes saj, bëhet organizimi i administratë shtetërorë ku përfshin edhe elemente të llogaridhënies dhe zbatimit të detyrave.

“Në të njëjtën kohë, reforma e administratës publike përfshin jo vetëm organizimin e administratës shtetërore, por po ashtu edhe elemente te llogaridhënies dhe kapacitetin për të zbatuar detyrat dhe ofruar shërbime me një staf kompetent të përzgjedhur përmes procedurave meritore dhe të paguar bazuar në një sistem transparent dhe jo-diskriminues”, thuhet në përgjigjen e BE.

Bashkimi Europian inkurajon qeverinë e ardhshme që t’i vazhdoj përpjekjet për të kompletuar reformën e kornizës ligjore mbi administratën publike në Kosovë.

“Ne po ashtu e inkurajojmë atë që t’i zbatoje reformat që janë aktualisht duke ndodhur. BE-ja mbetet e përkushtuar që ta përkrah qeverinë në këtë proces”, thuhet në përgjigje.

Profesori universitar, Marsel Bilalli, thotë se Kosova ka nevojë urgjente për reforma të gjithmbarshme se si duhet ta profesionalizojë administratën shtetërore të “invalidizuar”.

“Natyrisht se kjo nuk është punë aspak e lehtë dhe s’bëhet pa ndërtuar sistem meritokrator në seleksionimin e kuadrove. Duhet eliminu faktorin njeri apo parti në përzgjedhjen e kuadrove të nivelit profesional. Politikanët vijnë e shkojnë kurse administrata duhet të vazhdoje të punojë në bazë të ligjeve, e jo dëshirave individuale apo familjare, që për fat të keq për vite s’është bë. Andaj, duke u nisur nga ky realitet mendoj se reduktimet simbolike kuantitative nuk paraqet ndonjë temë që meriton të komentohet”, tha Bilalli për portalin arbresh.info.

Ndryshe, Qeveria në detyrë e Kosovës përbëhet nga 15 ministri, pavarësisht kësaj Kurti ka paralajmëruar ristrukturim të ministrive./M.Avdimetaj/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara