Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për të dyshuarin për fajde, një tjetër në arrati

16:47 | 6 Qershor 2026
E H

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të pandehuri për veprën penale “Fajdeja”, ndërsa një tjetër i dyshuar për të njëjtin rast ndodhet në arrati dhe është në kërkim të autoriteteve.

Sipas hetimeve fillestare, të dyshuarit dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës dhe duke përfituar shuma të konsiderueshme përtej huasë së dhënë.

Në shtator të vitit 2021, mes palëve është lidhur një marrëveshje huazimi prej 50 mijë eurosh, por me kushte të rënda financiare, përfshirë kamata mujore dhe detyrime shtesë. Hetimet tregojnë se më pas, përmes presioneve të vazhdueshme ndaj viktimës dhe familjarëve të tij, janë kërkuar dhe paguar shuma që arrijnë rreth 150 mijë euro, pa përfshirë borxhin fillestar.

Prokuroria po heton gjithashtu një person tjetër të dyshuar për veprën penale “Manipulimi me prova”, i cili dyshohet se ka tentuar të pengojë ose vështirësojë procedurën hetimore.

Prokurori i rastit ka vlerësuar se ekziston rrezik i ndikimit në dëshmitarë, pengimit të drejtësisë dhe arratisjes, duke kërkuar paraburgim për të arrestuarin.

Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale që lidhen me fajde dhe cenojnë sigurinë ekonomike të qytetarëve./Arbresh.info