Votat e diasporës po e mbajnë pezull shpalljen dhe certifikimin e rezultatit final të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, pas procesit të rinumërimit.
Janë 392 pako me vota nga diaspora, të cilat mbeten të rëndësishme si për partinë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje ashtu edhe për koalicionin Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë.
Përderisa për Vetëvendosjen, këto vota mund të nënkuptojnë 2 apo 3 deputetë më shumë, për koalicionin Nisma, AKR dhe PD, votat e diasporës, sipas vëzhguesve, kanë efektin e kundërt, pasi që besohet se me përfshirjen e tyre në rezultatin final mund të ndikohet në çështjen e kalimit të pragut zgjedhor për këtë koalicion që aktualisht thotë se i ka fituar gjashtë mandate në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
Të dielën, përfundoi rinumërimi i votave nga 1407 vendvotime, por shpallja e rezultatit dhe certifikimii tij, ka mbetur i varur nga ankesat e subjekteve politike.
Kështu, një ankesë e Lëvizjes Vetëvendosje në adresë në Gjykatën Supreme, ka bërë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të detyrohet të presë vendimin e kësaj Gjykate, para se të bëjë certifikimin e rezultatit përfundimtar.
Gjykata Supreme ka afat 72 orë për marrjen e vendimit, ndonëse ky vendim mund të shpallet edhe më herët.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Gjykata Supreme vlerësimin dhe marrjen e vendimit për rinumërimin e 392 pakove me fletëvotime të ardhura nga diaspora. Këto fletëvotime në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë ardhur më 12 nëntor.
Në një njoftim të Lëvizjes Vetëvendosje, thuhet se “aktgjykimet e Gjykatës Supreme do të duhej të shërbenin si bazë e mjaftueshme që KQZ të bëjë edhe numërimin e këtyre 392 pakove, por pas refuzimit për t’i numëruar dhe refuzimit nga ana e PZAP-së për të urdhëruar KQZ-në, çështjen e kemi adresuar në Gjykatën Supreme”.
“E drejta e votës si e drejtë kushtetuese dhe universale, duhet të mbrohet dhe të respektohet. Ndërsa çdo votë e ardhur në adresë të KQZ-së dhe e nisur nga votues të regjistruar dhe brenda afatit, duhet të numërohet dhe të përfshihet në rezultatin përfundimtar”, thuhet në njoftim.
Ankesën e njëjtë, Lëvizja Vetëvendosje e kishte adresuar edhe të dielën në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, por ky i fundit e kishte hedhur poshtë atë si të pabazë.
Edhe më herët, Lëvizja Vetëvendosje i ishte adresuar Gjykatës Supreme kërkesën për vlerësimin e votave të ardhura nga diaspora pas afatit të paraparë ligjor, pasi PZAP fillimisht e kishte hedhur poshtë kërkesën e këtij subjekti politik. Supremja, në fund të muajit tetor, e kishte miratuar kërkesën e Vetëvendosjes dhe e kishte urdhëruar KQZ-në që të numërojë dhe të fus në rezultatin zgjedhor rreth 5 mijë vota të ardhura jashtë afatit ligjor (5 tetor, 2019) nga jashtë.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thonë se pas konfirmimit nga Gjykata Supreme se i është parashtruar ankesë ndaj vendimit të PZAP-së, rezultatet përfundimtare nuk mund të publikohen në këtë fazë.
“Rezultatet nuk mund të publikohen pa ndonjë konfirmim në këtë rast nga PZAP dhe Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje në shqyrtim”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Çështje tjetër që mund ta mbajë pezull këtë proces ka të bëjë me kërkesën e Koalicionit Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë. Ky koalicion e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese një ankesë, ku konteston vendimin e Gjykatës Supreme të 30 tetorit, ku u urdhërua Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të numërojë dhe të përfshijë në rezultatin përfundimtar zgjedhor rreth 5 mijë vota të diasporës, që kishin ardhur në Kosovë jashtë afatit ligjor.
Në ankesën e koalicionit Nisma-AKR-PD, kërkohet nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë kushtetutshmërinë e këtij vendimi të Supremes.
Koalicioni Nisma-AKR-PD po ashtu kërkon që Kushtetuesja të vendosë pro masës së përkohshme pasi sipas këtij koalicioni, mosvënia e një mase të tillë “mund të shkaktojë dëm të pariparueshëm dhe është në interes të publikut”.
Përfaqësues të shoqërisë civile që kanë monitoruar procesin zgjedhor në Kosovë, konsiderojnë se procesi i numërimit dhe rinumërimit është zgjatur, por në kuadër të hapësirave ligjore.
Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se subjektet politike janë munduar që të shfrytëzojnë të gjitha hapësirat ligjore për të arritur një rezultat sa më të mirë.
“Nëse shikohet në aspektin kohor është zgjatur dhe Kosova ka mundur të procedojë edhe më shpejtë, në kuptimin që KQZ dhe Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ta rrisin stafin dhe numrin e punëtorëve dhe të përfundojë procesi më herët se sa që është tash”, tha Spahija.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 6 tetor. Sipas vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, zgjedhjet kaluan të qeta dhe ishin në harmoni me standardet demokratike.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy parti po mëtojnë që ta formojnë Qeverinë e re të Kosovës. Përfaqësuesit e këtyre dy partive kanë thënë se pas certifikimit të rezultatit zgjedhor do të finalizojnë marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, pas ftesës që mori nga Gjykata Speciale në Hagë. /REL/
Guardiola: Messi është futbollisti më i mirë ndonjëherë
Tetë këshilla si të parandaloni grumbullimin e pluhurave në ...
A e dini se kafeja është e thartë? Ja se si mund të ndikojë ...
Roboti dirigjent bën debutimin në Gjermani
Pesë ushqime që shkaktojnë probleme me hormonet
Mbrojtësi danez flet pas përballjes me Yamalin: Unë do të lu...