Google ADS

“Pelegrinët” serbë/ Ekspertët: Një provokim i planifikuar, institucionet të jenë syhapur

13:02 | 12 Prill 2025
K.B

Si në një skenar të përpunuar me kujdes, katër shtetas serbë kaluan kufirin duke u paraqitur si pelegrinë.

Por, pas maskës fetare, institucionet e sigurisë zbuluan një realitet tjetër, ku njëri prej tyre rezultoi të ishte toger i policisë së Serbisë, ndërsa tjetri kapiten në ushtrinë serbe.

Të arrestuar të shtunën në Gjakovë, ata u ndaluan gjatë një kontrolli të rregullt, ku në veturën e tyre u gjetën armë të ftohta, dy thika dhe një sëpatë.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar që ndaj katër shtetasve serbë të caktohet masa e paraburgimit për 30 ditë, ndërsa hetimet për këtë rast vazhdojnë.

Eksperti i sigurisë dhe analizës gjeopolitike, Drizan Shala, e ka vlerësuar rastin si jashtëzakonisht serioz.

Ai për Arbresh.info thekson se prezenca e individëve me përkatësi ushtarake dhe policore të Serbisë në territorin e Kosovës është një akt i qartë i infiltrimit, duke përdorur një taktike hibride ku feja ose kultura shërbejnë si mbulesë për aktivitete të inteligjencës ose destabilizimit.

Shala ka ngritur dyshime se ky rast mund të jetë një provokim i planifikuar, duke e lidhur me tensionet aktuale mes Kosovës dhe Serbisë

“Po, ka shumë gjasa që kjo të ketë qenë një provokim i planifikuar. Konteksti aktual i tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore dhe në rrafshin ndërkombëtar, është terren i përshtatshëm për veprime të tilla hibride që synojnë të testojnë reagimin e institucioneve të sigurisë në Kosovë, të nxisin frikë ose destabilizim lokal, dhe potencialisht të krijojnë një narrativë për konsum të brendshëm në Serbi”, thotë ai.

Shala ka theksuar se është e nevojshme një rishikim i politikave të hyrjes në Kosovë, duke përfshirë një forcim të kontrollit të sigurisë për shtetasit serbë që hyjnë në territorin e Kosovës.

“Po, është e domosdoshme të bëhet një rishikim i politikave të hyrjes, duke shtuar nivelet e kontrollit të sigurisë për shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë, sidomos ata që kanë shërbyer në forcat e armatosura ose agjencitë e inteligjencës serbe. Kjo nuk duhet të shihet si akt diskriminues, por si masë parandaluese legjitime në kontekstin e sigurisë kombëtare dhe përballë kërcënimeve hibride”, thekson Shala.

Në anën tjetër, njohësi i sigurisë, Mensut Ademi, ka paralajmëruar se ky rast nuk duhet nënvlerësuar, duke sjellë në kujtesë edhe ngjarjet në Banjska si shembull i asaj që mund të ndodhë nëse institucionet nuk janë vigjilente.

Ai për Arbresh.info thekson se nëse ekziston dyshim i bazuar se këta persona janë të lidhur me grupe që kanë kryer krime kundër njerëzimit, ose veprime të cilësuara si terroriste, atëherë institucionet duhet të veprojnë menjëherë për të parandaluar ndonjë përshkallëzim.

“ Në aspektin politik-popullist ne mund ta quajmë presion por në aspektin profesional operativ ky ka qenë një rrezik. Nëse ne rrimë me symbyllur dhe e luajmë injorantin atëherë ne jemi të rrezikuar ku e pamë se çfarë në çfarë gjendje janë të krijojnë grupet e krimit të organizuar të mbështetura nga institucionet e Republikës së Serbisë”, pohon ai.
Megjithatë, ai vlerëson lart punën profesionale të institucioneve të sigurisë të Kosovës, veçanërisht të agjencive të inteligjencës dhe policisë, të cilat sipas tij, janë trajnuar në shtetet më elitare të botës dhe kanë fituar terren ndaj këtyre rreziqeve.

“Duhet të jenë sy qelë institucionet tona por në anën tjetër fal djemve dhe vajzave tona të përgatitur në mënyrë profesionale në Agjencisë së Kosovës për informim ose në qoftë të inteligjencës dhe policisë, sepse janë të trajnuar në shtetet më elite të botës kanë fituar terrene ndaj këtyre grupeve, sepse këto grupe ne e dimë se qendrat e këtyre grupeve janë në kufirin me Kosovën. Ata punët i kryejnë përmes bashkëpunëtorëve profesional përmes informatorëve por për këtë rast ne duhet të kemi kujdes se jo vetëm të nacionalitetit serb por edhe janë edhe grupe tjera”, përfundon ai.

Ndryshe, katër persona janë arrestuar më 5 prill në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, pasi Policia ndaloi një veturë të tipit Toyota për tejkalim të shpejtësisë. Gjatë kontrollit të veturës, të udhëhequr nga i pandehuri Branko Rakiq, janë gjetur tri mjete të mprehta – një sopatë, një thikë me këllëf dhe një thikë sharrë – për të cilat të dyshuarit thanë se nuk ishin në dijeni se ishin të paligjshme. Rakiq deklaroi se nuk e dinte që ato mjete pune janë ilegale, ndërsa tre pasagjerët – Nemanja Vamoviq, Pavle Kragoviq dhe Millovan Steviq – gjithashtu thanë se nuk e dinin çfarë kishte në bagazh. Të katërve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Pas këtij rasti, anëtarët e Këshillit të Sigurisë të Kosovës kanë theksuar se ndërhyrjet e Serbisë janë shtuar se po tentohet të shkaktohen tensione etnike dhe ndërpartiake në Kosovë, me qëllim destabilizimin e vendit./Arbresh.info/Edona Krasniqi/

Shpërndaje në rrjete sociale