MuratI i reagon Ramës: Kallëzimi penal është i pabazë dhe politik

19:39 | 14 Nëntor 2025
Q L

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar sot pasi kreu i Komunës së Prishtinës ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj tij. Ai e ka cilësuar këtë veprim si të pabazë dhe të motivuar politikisht.

Në reagimin e tij në Facebook, Murati ka kritikuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, duke theksuar se Komuna nuk ka arritur ta miratojë buxhetin brenda afateve ligjore, dhe se sipas tij, kallëzimi penal është një përpjekje për të zhvendosur përgjegjësinë.

“Marrëzia e Përparim Ramës nuk paska kufi. Vetë ai nuk ka arritë me e miratu buxhetin e Komunës brenda afatit ligjor, dhe tash mendon me e hedhë fajin e dështimit personal tek të tjerët,” ka shkruar Murati.

Ai ka shtuar se kodi penal parasheh dënime për kallëzim të rremë, duke theksuar se kallëzimi është bërë në kohën e fushatës zgjedhore.

“Siç shihet nga data, kallëzimi është bërë më 7 tetor, gjatë fushatës zgjedhore. Dhe aty ka qenë edhe qëllimi,” ka shkruar ai, duke shtuar se tashmë fushata ka përfunduar dhe të gjithë duhet t’i rikthehen punës.

Ndryshe, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar sot se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, dhe disa zyrtarëve të tjerë, duke i akuzuar për bllokimin e alokimit të mjeteve financiare të komunës dhe shkaktimin e dëmeve në projekte dhe pagesa. Në dokumentin e publikuar, figuron data 07.10.2025.

Rama dorëzon kallëzim penal ndaj Muratit