Kjo është pasuria 80 mijë vjeçare e Kosovës që harrohet nga shteti

15:20 | 5 Qershor 2021

E krijuar nga vetë natyra, Shpella e Gadimes ka një bukuri të parezistueshme për syrin e njeriut.

Kjo shpellë është rreth 80 mijë vjeçare dhe gjendet në fshatin Gadime të Lipjanit. Temperaturat brena saj qëndrojnë konstant 13 gradë.

Zbulimi i Shpellës së Gadimes është mjaftë i veçantë dhe ka ndodhur krejt rastësisht.

Për arbresh.info, Adriana Pllana, menaxhere e Shpellës së Gadimes tregon historinë e kësaj shpelle, interesimin e vizitorëve dhe sfidat me të cilat përballen si menaxhment për mirëmbajtjen e saj.

“ Historiku i shpellës në fakt është interesant sepse shpella është zbuluar rastësisht nga një banor i zonës i cili ka qenë duke hapur themelet e shtëpisë së tij, kjo ka ndodhur në vitin 1966, dhe që nga ajo kohë kjo shpellë vazhdon të jetë e hapur për vizitorët”, u shpreh Pllana.

Sipas saj, hapja e shpellës për vizitorë është bërë dhjetë vjet pas zbulimit.

“Pas zbulimit të shpellës, kanë kaluar po thuajse 10 vite për tu hapur, për tu bërë gati për vizitorët. Janë hapur disa korridore që të kalohet më lehtë për të gjithë ata që e vizitojnë, e ku është shtruar një lloj cementit që të ecim pasi që ka qenë me baltë e po ashtu janë vendosur elektrifikimi, dritat e nevojshme për shpellë”, tha Pllana.

Kjo shpellë tre kate, kati i mesëm, i cili sipas saj është për vizitorë, kati nënujor dhe kati i sipërm.

Ajo tregon se në sezonin e verës temperatura në brendi të shpellës është konstante 13 gradë celsius po ashtu gjatë dimrit temperaturat janë pothuajse të njëjta nga 11 deri në 13 gradë celsius, shkruan arbresh.info.

Pandemi padyshim ka ndikuar në rënien e numrit të vizitorëve. Sipas Pllanës mungesa e vizitorëve këtu vitin e kaluar ka qenë jashtëzakonisht e madhe.
Megjithatë, sipas saj këtë vit është vërejtur një përmirësim.

“Është vërejtur shumë mungesa e vizitorëve këtu në shpellë, e po ashtu edhe në sektorë të tjerë në Kosovë. Kanë nguruar të vinë. Viti i kaluar ka qenë një vit me një numër mjaftë të vogël të vizitorëve. Këtë vit ka filluar një ngritje e lehtë e numrit të vizitorëve, por prapë nuk besoj që edhe ky vit do të jetë një vit normal për shpellën dhe vizitat në të”, theksoi Pllana.

Shpella e “propozimeve romantike”

Përveç bukurisë natyrore që ka, kjo shpellë është bërë edhe pjesë e shumë historive të bukura romantike, përfshirë këtu propozimet e çifteve, të cilat zakonisht bëhen tek figurat e formuar brenda saj, e që kanë marr emrin e historisë së dashurisë “Romeo dhe Xhulieta’.

Pllana për arbresh.info tregon një rast romantik të propozimit që është bërë para simboleve të krijuara nga kristali e që janë emëruar si “Romeo e Zhulieta” .

“Është një histori të cilën çdo vizitorë që vjen në shpellë kërkon tash shoh dhe ta dëgjoj si dhe të bëjnë ndonjë fotografi. Ky stalaktit dhe stalagmit që gjenden janë shumë afër për tu bashkuar, mirëpo kjo afërsia e tyre kur ti shndërrojmë në vite i bie që të bashkohen edhe 1 milionë e 500 mijë vite d.m.th sa do që janë afër por janë shumë larg në kohë. Kemi pas një rast kur pikërisht pranë Romeos dhe Xhulietës një çift ka ardh edhe i ka propozu për fejesë të dashurës së tij. Pra kemi pas edhe histori romantike edhe brenda në shpellë pikërisht në këtë pjesën këtu”, tregon Pllana për arbresh.info.

Bukuritë e shpellës kanë magjepsur edhe vizitorët jashtë Kosove

Blendi Ajazi që jeton ne Gjermani bashkë me të dashurën e tij gjermane, Ana Kun, kanë ardhur në Kosovë veçanërisht për të eksploruar bukuritë se Shpellës së Gadimes.

“Ne dëshiruam ta vizitojmë shpellën e Gadimes, sepse është një vend i veçante këtu në Kosovë. Ne dëshiruam që ta vizitojmë Kosovën në përgjithësi dhe ky është një ndër vendet më emocionues”, Blend Ajazi .

“Është hera e parë për mua” thotë shkurt Ana Kun.

Këtu nuk mungonin as vizitorë nga Tetova. Naser Xhamaili rrëfen me plotë nostalgji eksperiencën e tij brenda Shpellës së Gadimes, ani pse ishte hera e dytë që po e vizitonte atë.

“Kam qenë për herë të parë si fëmijë i shkollës fillore diku në vitet e 80-ta, kjo është për herë të dytë. Kalova shumë mirë, shumë bukur. Personalisht më pëlqejnë gjërat që janë natyrale edhe gjërat që janë të vjetra e ndërtime të hershme. Çështja e elementit të natyrës që paraqet në brendinë e saj më lë një mbresë edhe është tërheqëse që të vijmë e të vizitojmë të shohim ç’bënë natyra me një fjalë atë për të cilën logjika e njeriut s’ka vend. Sot kemi ardh enkas për këtë çështje të vizitojmë Shpellën e Gadimës e ku do të dalim me një shëtitje të përgjithshme”, tregon Xhamaili.

E harruar nga shteti

Edhe pse një vend me rëndësi të jashtëzakonshme turistike, Shpella e Gadimes përballet edhe me mungesa elementare, siç janë ndriçimi dhe hapja e korridoreve të reja.

“Fakt është që shpella ka nevojë për riparime, për rregullime për ndryshime, ka nevojë imediate që të bëhet ndriçimi i ri në shpellë, d.m.th krejt sistemi i ri i rrjetit elektrik, sepse është i vjetër nga koha siç ju thash nga vitet e 60-ta, 70-ta, në atë 10- vjeçarin e parë kur edhe është rregulluar shpella për vizitorë dhe është pa dyshim shumë i vjetruar”, thotë ajo.

Gjysma e tjetër e kësaj shpelle, sipas saj, ka mbetur ende e pa eksploruar, kjo për shkak të mos hapjes së korridoreve të reja.

“ Nuk duhet të harrojmë që kemi nevojë për hapjen e korridoreve të reja sepse ky nivel ku gjendemi ne tash supozohet që i ka 1.2 km dhe vetëm gjysma e saj është e hapur për vizitorë dhe gjysma tjetër ende pret për tu eksploruar për tu hapur dhe për tu bërë gati që ne të mund ta eksplorojmë”, u shpreh Pllana.

Për të hyrë në këtë shpellë duhet të blihen biletat, çmimet e të cilave varjon nga 1 deri në 2 euro, mjete këto të cilat shkojnë në Ministrinë e Financave.

“Çmimet e biletave janë dy euro për të rritur, fëmijët nga mosha gjashtë vjeçare 1 euro, ndërsa ata që janë nën moshën gjashtë vjeçare nuk paguajnë fare. Çdo mjet që grumbullohet nga shitja e biletave shkon direkt në Ministrinë e Financave dhe pastaj ata e bëjnë delegimin e mjeteve në institucionet ku ata e shohin të arsyeshme”, tregon ajo.

Ndryshe, Shpella e Gadimes vazhdon të mbetet një nga vendet më të vizituara në Kosovë, e që vazhdon të ngjall kureshtje edhe për vizitorë nga vendet e rajonit. /S.D/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara