Hamza takon kryediplomatin shqiptar: Kosovës i duhen institucione stabile dhe funksionale

14:15 | 31 Maj 2026
E.H

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka pritur sot në takim Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha.

Gjatë takimit, Hamza dhe ministri Hoxha diskutuan për zhvillimet politike në Kosovë, zgjedhjet e ardhshme dhe rëndësinë që vendi të ketë institucione stabile, funksionale dhe të përqendruara në interesat e qytetarëve.

Me këtë rast, Hamza vlerësoi lart angazhimin e ministrit Hoxha në mbështetje të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se ai ka qenë gjithmonë një zë i fuqishëm i Kosovës në çdo detyrë që ka ushtruar dhe në çdo forum ndërkombëtar ku ka përfaqësuar Shqipërinë.

“Kënaqësi të takoja sot Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha. Diskutuam për zhvillimet politike në Kosovë, zgjedhjet e ardhshme dhe rëndësinë që vendi të ketë institucione stabile, funksionale dhe me fokus te interesat e qytetarëve. Ministri Hoxha gjithmonë ka qenë edhe ‘diplomat i Kosovës’, në çdo detyrë që ka shërbyer dhe në çdo forum ndërkombëtar ku ka folur”, ka shkruar Hamza.

Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria i ka dhënë Kosovës në proceset e saj shtetformuese dhe integruese.

“Përherë mirënjohës Shqipërisë për përkrahjen e saj për Kosovën”, ka theksuar Hamza./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale