KFOR e Ambasada e Zvicrës diskutojnë për sigurinë e stabilitetin në Kosovë

23:32 | 30 Janar 2025
E.G

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani, u takua me Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, në Selinë e KFOR-it në Camp Film City në Prishtinë.

Sipas njoftimit,  ata diskutuan për disa tema, përfshirë sigurinë afatgjatë në të gjithë Kosovën, situatën e stabilitetit rajonal dhe përpjekjet e KFOR-it në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, shkruan Arbresh.info.

“Gjeneral Major Barduani gjithashtu e uroi Ambasadorin Sprecher për kontributet afatgjata të Zvicrës në KFOR dhe për stabilitetin rajonal. Ky takim ishte pjesë e ndërveprimeve të rregullta të Gjeneral Major Barduani me homologët e tij përkatës në Kosovë dhe në rajon”, thuhet në njoftim.

KFOR-i rithekson se vazhdon të zbatojë mandatit e tij bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lëvizjen e lirë, gjithmonë dhe pa anashkalime.

“KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si përgjigjës të sigurisë”, thuhet mes të tjerash në njoftim./Arbresh.info/

Të ngjashme