Ja si do të funksionojnë gjykatat paralele

19:18 | 29 Tetor 2017

Të gjitha vendimet që i kanë marrë gjykatat paralele të Serbisë në Kosovë deri më 16 shtator do të jenë të vlefshme dhe të zbatueshme.

Për këtë ekziston një aneks në marrëveshjen e Brukselit për Drejtësi.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës konfirmon marrëveshjen, por thotë se jo të gjitha aktvendimet e gjykatave paralele do të jenë të vlefshme.

Një aneks i marrëveshjes së Brukselit për drejtësi mund të bëjë që të gjitha vendimet që i kanë marrë gjykatat ilegale serbe, prej 15 korrikut 2013 e deri më 16 shtator 2017 të jenë të vlefshme dhe të zbatueshme edhe në Kosovë.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, i ka thënë Radio Kosovës se ka një marrëveshje për këtë çështje. Por, sipas tij, jo të gjitha aktvendimet do të jenë të vlefshme në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

“Nuk do të vlejnë të gjitha, por nuk mundem tash në detaje t’i shpjegoj. Është arritur një marrëveshje në këtë drejtim, por jo të gjitha, pjesërisht do të validitohen. Sa i përket validitetit, mbetet të shikohet më konkretisht. Së pari do të bëhet evidentimi i lëndëve. Duhet të formohen grupet punuese. Tek atëherë mundemi me e ditë gjendjen e saktë se ku jemi”.

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, shpreh shqetësimin e tij për ekzistimin e kësaj aneks marrëveshjeje dhe mos transparencën rreth përmbajtjes së saj.

Ai ditë më parë kërkoi publikimin marrëveshjes.

“Sipas informatave që kemi marrë nga kryetarja e Komisionit për Legjislacion, aty me gjasë thuhet se, vendimet e marra nga gjykatat ilegale që kanë operuar jashtë strukturës kushtetuese-juridike të Kosovës do të validohen dhe do të njihen si të vlefshme”.

Deputeti Sejdiu thotë se për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi ata që kanë pranuar që këto aktgjykime të strukturave ilegale të zbatohen edhe nga institucionet e Republikës së Kosovës.

“Në kontekstin juridik do të ishte diçka e pa pranueshme, pasi që do të krijonte në pasiguri juridike. Duke pasur parasysh që, ndoshta për të njëjtën lëndë janë dënuar dy herë; një herë në Republikën e Kosovës e një herë në anën tjetër”.

Marrëveshja për Drejtësi mes Kosovës dhe Serbisë ishte arritur në shkurt të vitit 2015 në Bruksel.

Por, ajo filloi të zbatohej këtë muaj pas një dakordimi të presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë në gusht të këtij viti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara