Lëvizja FOL ka mbajtur sot konferencë për media me ç’rast ka publikuar raportin “(Mos) zbatimi i Ligjit për Deklarim të Pasurisë nga Qeveria Haradinaj, Kurti 1 dhe Hoti”.
Mexhide Demolli Nimani, drejtore ekzekutive e Lëvizjes FOL tha ky raport përveç një analize të bërë ligjit aktual që është në fuqi dhe projektligjit që është duke u hartuar nga qeveria aktuale, gjithashtu ka monitoruar publikimin e formularëve të deklarimit të pasurisë nga Agjencia Kundër Korrupsion dhe ofron të dhënat për secilin prej ministrave dhe zëvendësministrave të tri qeverive të kaluara si Qeverisë Haradinaj, Qevrisë Kurti 1 dhe Qeverisë Hoti në lidhje me respektimin e afateve ligjore për deklarimin e pasurisë me rastin e emërimit, deklarimin e rregullt vjetor dhe deklarimin me rastin e shkarkimit apo përfundimit të mandatit.
Ndërkaq, Albana Hasani, hulumtuese në Lëvizjen FOL tha se nga të gjeturat kryesore të raportit sa i përket respektimit të afateve ligjore nga ministrat dhe zëvendësministrat e tri qeverive, del se:
– Nga 131 ministrat/zëvendësministrat e Qeverisë Haradinaj, vetëm 62 nga ta kishin respektuar afatet ligjore për deklarim të pasurisë me rastin e emërimit në këto pozita (pra brenda një muaji nga emërimi në detyrë), si dhe deklarimin e rregullt vjetor, mirëpo asnjë nga ta nuk e ka deklaruar pasurinë me rastin e dorëzimit të detyrës zyrtare.
– Nga 45 ministrat/zëvendësministrat e Qeverisë Kurti 1, vetëm 20 nga ta e kanë respektuar afatin ligjor për deklarim të pasurisë me rastin e emërimit në këto pozita. Ndërkaq vetëm 15 nga ta e kanë bërë deklarimin e pasurisë me rastin e dorëzimit të detyrës zyrtare apo me rastin e shkarkimit nga detyra.
– Ndërkaq nga 77 ministrat/zëvendësministrat e Qeverisë Hoti, vetëm 32 prej tyre e kanë respektuar afatin ligjor për deklarim të pasurisë me rastin e emërimit në këto pozita, duke deklaruar pasurinë brenda periudhës së paraparë me ligj. Ndërkaq asnjë nga zyrtarët e kësaj qeverie nuk e ka deklaruar pasurinë me rastin e dorëzimit të detyrës zyrtare, apo me rastin e shkarkimit.
Këto të dhëna, pra, janë bazuar në formularët e publikuar në ueb faqen zyrtare të AKK-së. Gjithashtu, duhet të duhet të theksohet se, pavarësisht se këta zyrtarë nuk e kanë deklaruar pasurinë me rastin e emërimit, lirimit nga detyra apo shkarkimit, këta zyrtarë nuk figurojnë “në listën e personave që nuk e kanë deklaruar pasurinë”, të publikuar në ueb faqen e AkK-së. Detajet për secilin zyrtarë nga këto tri Qeveri i gjeni në raport, duke klikuar këtu.
Bazuar në këto gjetje dhe në analizën e kornizës ligjore aktuale dhe projektligjit që është duke u punuar nga Qeveria e Kosovës, FOL jep këto rekomandime:
• Të rritet vigjilenca e zyrtarëve publik në lidhje me respektimin e afateve ligjore për deklarimin e pasurisë me rastin e emërimit, deklarimin e rregullt vjetor dhe deklarimin me rastin e përfundimit të mandatit apo shkarkimit;
• Të largohet kategoria e mjekëve, profesorëve dhe asistentëve universitar nga lista e subjekteve deklaruese të deklarimit të pasurisë, që parashihet të bëhet në Ligjin e ri për Deklarimin e Pasurisë. Kjo ngase përfshirja e këtyre kategorive do të rrezikonte pamundësimin e zbatimit të ligjit në praktikë, për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe burimeve njerëzore të AKK-së, si dhe do të ndikonte në dekurajimin e tyre në kryerjen e funksioneve. Ligji duhet të fokusohet në zyrtarët e lartë publik dhe në disa kategori të tjera që janë potencialisht më të ekspozuara ndaj korrupsionit;
• Të largohet mundësia e pranimit të dhuratave të rastit nga zyrtarët publik;
• Të rritet bashkëpunimi i agjencisë kompetente me policinë, prokurorinë, administratën tatimore, Njësinë e Inteligjencës Financiare dhe institucionet e tjera relevante në lidhje me shkëmbimin e të dhënave dhe informacioneve në lidhje me deklarimin e pasurisë/arbresh.info/
Zvicra dislokon 4 mijë trupa në kufi me Francën, e cila pret...
Rama merr pjesë nesër në Samitin “BE–Ballkani Perëndimor” në...
Kusari Lila tregon prapaskenat para recitimit të poezisë nga...
Selimi dhe Konjufca takojnë qytetarët në Klinë, flasin për q...
Sveçla: Përmirësimi i kushteve të punës për zyrtarët policor...
LVV: Mitrovica ia qet pikën 116