Deda thotë se meritat kryesore për MSA s’i kanë Thaçi e Mustafa

21:05 | 1 Nëntor 2015
M. A.

Deputeti i Vetëvendosjes Ilir Deda, thotë se meritat kryesore për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nuk i kanë Thaçi dhe Mustafa, por Zyra e Presidentes.

“Pasi filloi beteja për përvetësimin e meritave për MSA, një përkujtim: prej prillit deri në dhjetor 2011 ishte një Zyrë tjetër institucionale – jo Qeveria – që kërkoi me ngulm, zyrtarisht prej BE-së dhe shteteve anëtare të BE-së dhe nga SHBA që Kosova të kishte marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Në atë kohë Thaçi kërkonte liberalizim të vizave dhe nuk mund të dilte nga Kosova. Në atë kohë Mustafa thoshte se dialogu me Serbinë për punë të brendshme të Kosovës ishte i dëmshëm.

Pikërisht në shtator 2011, gjatë vizitës në Bruksel, komisionerët e atëhershëm për Zgjerim dhe Politikë të përbashkët të Jashtme e të Sigurisë dëgjuan kërkesën dhe elaborimin e thuktë për nevojën që Kosova dhe BE-ja të lidhnin marrëdhënie kontraktuale.

Me këtë rast një falënderim të veçantë për Venera Hajrullahun, Qëndrim Gashin, Ilir Salihun, Arbër Vllahiun dhe Ramush Tahirin, ekipin e atëhershëm te presidentja Jahjaga. Falënderim edhe presidentes që pandalur e shtyu këtë agjendë përpara.

MSA-ja në fund është meritë e gjithë Kosovës. E dokumenti ka mundur të jetë edhe më i mirë, nëse disa në pushtet do të ishin fokusuar më shumë për interes të shtetit se sa kryekëput për interesa të tyre”, ka shkruar Deda në Facebook.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme