Google ADS

Daçiq thotë se ekstradimi i Radoiçiqit në Kosovë është i pamundur

13:29 | 13 Dhjetor 2023
E.K

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se ekstradimi në Kosovë i ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, është i pamundur.

“Të gjitha proceset gjyqësore do të zhvillohen para gjykatave vendase”, u shpreh ai.

Këtë deklaratë Daçiqi e bëri gjatë një interviste që ai dha për agjencinë Beta, më 13 dhjetor, teksa komentoi fletarrestimin e lëshuar për Radoiçiqin nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë – INTERPOL.

INTERPOL-i ka lëshuar ditë më parë një urdhër për arrestimin e Radoiçiqit, për shkak të sulmit të armatosur në Banjskë, në komunën e Zveçanit, në Kosovë.

Lajmin për këtë fletarrestim e ka konfirmuar, Nenad Rashiq, duke thënë se ai është lëshuar me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK.

Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë.

Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, duke pohuar se ai “personalisht” e ka organizuar sulmin dhe të gjitha përgatitjet logjistike, dhe se nuk ka informuar askënd për ato plane.

Kosova akuzoi Serbinë se qëndron pas sulmit, gjë që Beogradi zyrtar e mohon.

“Pa Asociacionin nuk ka diskutim për planin franko-gjerman”
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, po ashtu, deklaroi se “nuk do të ketë diskutim për zbatimin e planit franko-gjerman” derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Daçiq tha se shpreson që plani franko-gjerman të mos bëhet pjesë e negociatave të kapitullit 35 me Bashkimin Evropian (BE).

“Shpresojmë që të mos arrihet deri te kjo, sepse është në kundërshtim me pikëpamjet e vendeve që nuk e njohin Kosovën. Nëse plani franko-gjerman bëhet pjesë e kapitullit 35 negociues, do t’i bëjë negociatat me BE-në shumë më të vështira”, tha ai.

Kapitulli 35 i negociatave të anëtarësimit ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian përfshin marrëdhëniet me Kosovën.

Në draftin në pritje të miratimit, thuhet se BE-ja do t’i bëjë thirrje Komisionit Evropian (KE) të ndryshojë kriteret për Kapitullin 35 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë më së voni në janar 2024, që nënkupton përfshirjen e detyrimeve nga marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në kuadrin negociator për Serbinë.

Kjo marrëveshje u arrit nga liderët e Serbisë dhe Kosovës më 27 shkurt në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit palët u dakorduan më 18 mars në Ohër.

Dokumenti njihet edhe si plani franko-gjerman.

Daçiq tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “nuk e ka dhënë pëlqimin për pjesët që mund të interpretohen si njohje de facto apo de jure e Kosovës”.

“Ne kurrë nuk e pranuam Marrëveshjen e Ohrit në tërësi. Presidenti Vuçiq tha se fillimisht duhet të formohet Asociacioni dhe pastaj të diskutojmë për gjithçka”, theksoi ai.

Marrëveshja e Ohrit parasheh që Serbia të njohë simbolet shtetërore të Kosovës, të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe që palët të respektojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e njëra-tjetrës.

BE-ja paralajmëron rregullisht se shpejtësia e procesit të anëtarësimit me Serbinë do të varet nga përparimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën./rel

Shpërndaje në rrjete sociale