Mbi 1.6 milionë fletëvotime gati për zgjedhjet e 7 qershorit

09:54 | 2 Qershor 2026
E H

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka finalizuar përgatitjet kryesore logjistike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor. Sipas KQZ-së, mbi 1.6 milionë fletëvotime janë përgatitur për procesin zgjedhor brenda vendit, ndërsa shpërndarja e tyre në qendrat komunale do të nisë të shtunën.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se fletëvotimet e shtypura në Slloveni tashmë janë vendosur në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe janë gati për t’u shpërndarë sipas planit operativ.

“Sipas vendimit të KQZ-së, për zgjedhjet e 7 qershorit janë shtypur 1 milionë e 778 mijë e 300 fletëvotime. Nga ky numër, 1 milion e 605 mijë janë të planifikuara për votimin në vendvotimet e rregullta, 19 mijë e 450 për votimin me kusht, 13 mijë e 500 si rezervë dhe 3 mijë e 500 për personat me nevoja të veçanta”, deklaroi Elezi.

Ai theksoi se edhe këtë herë numri i fletëvotimeve është më i vogël se numri i përgjithshëm i votuesve, duke u bazuar në analizat e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset e kaluara zgjedhore.

“Këto fletëvotime aktualisht ndodhen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Të shtunën në mëngjes do të bëhet shpërndarja e tyre në Qendrat Komunale të Numërimit, ndërsa të dielën në mëngjes do të dërgohen në qendrat e votimit”, tha ai.

Sa i përket votimit jashtë vendit, Elezi njoftoi se janë shtypur 108 mijë fletëvotime për votimin me postë dhe 28 mijë e 850 për votimin në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

“Fletëvotimet për votimin me postë janë dërguar në adresat e votuesve të regjistruar, ndërsa materialet zgjedhore për përfaqësitë diplomatike tashmë janë nisur drejt destinacioneve ku më 6 qershor do të zhvillohet procesi i votimit”, u shpreh ai.

Sipas KQZ-së, votimi në përfaqësitë diplomatike do të organizohet në 30 misione diplomatike në 18 shtete të botës, ku janë regjistruar 27 mijë e 724 votues. Ndërkohë, për votimin me postë janë regjistruar 104 mijë e 488 qytetarë.

Në ditën e zgjedhjeve, më 7 qershor, procesi i votimit do të zhvillohet në 949 qendra votimi me gjithsej 2 mijë e 550 vendvotime. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në Kosovë është 1 milion e 959 mijë e 962.

KQZ vlerëson se të gjitha përgatitjet po zhvillohen sipas planit, me qëllim garantimin e një procesi zgjedhor të rregullt dhe transparent./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale