A po shkrihen akujt mes VV-së dhe LDK-së?- Koalicioni i (pa) mundur mes dy partive

15:39 | 8 Prill 2025
K.B

Të mërkurën ose të enjten është paraparë të zhvillohet takimi mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kurti të hënën i është drejtuar me një letër kreut të LDK-së, duke e ftuar për konsultime para konstituimit të Kuvendit dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë.

Njohësit e çështjeve të politikës për Arbresh.info e kanë komentuar këtë ftesë si një tendencë që të krijojë perceptimin publik të gatishmërisë për bashkëpunim.

Kështu të paktën thotë Artan Muhaxhiri, sipas të cilit, veprimi është krejtësisht në shpërputhje me qasjen e tij të derisotme, e cila ishte injoruese, ofenduese dhe refuzuese ndaj PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

Muhaxhiri shton se ftesa është vetëm një formalitet që Kurti të thotë se ia ka hapur dyert LDK-së, ndërsa Abdixhiku t’i ripohojë kundërshtimet të cilat i ka deklaruar më herët.

“Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ndonëse ishte evidente se nuk e kishte minimumin e nevojshëm për shumicën parlamentare, Kurti garantonte që sërish do ta bënte qeverinë i vetëm. Tash, kur qartësisht s’i ka 61 deputetë, do t’i duhet të bëjë koalicion me Nismën dhe pakicat, ose t’ua lëshojë rrugën të tjerëve. Opsione tjera normale nuk ka”, thotë analisti.

Ai mendon se nuk ka gjasa që të ndodh një koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke shtuar se dallimet janë shumë të mëdha, teksa shton se retorika mes këtyre dy partive është ashpërsuar deri në fyerje dhe njollosje personale.

“Një koalicion i tillë do të ishte shkatërrues për LDK-në, pasi do ta shfaqte maksimalisht hipokrite dhe do ta përfshinte nën ombrellën dominuese lideriste të Kurtit. Në zgjedhjet e ardhshme, dëmet do të ishin katastrofale. Abdixhiku edhe ashtu s’i ka të gjitha punët në terezi brenda partisë së vet, prandaj aleanca me LVV-në do e thellonte çarjen ndërpartiake deri në skizmë – ngjashëm me atë të vitit 2006”, thekson Muhaxhiri.

Në rast të një koalicioni të mundshëm, lidhur me atë se çfarë do të mund të kërkonte Abdixhiku, Muhaxhiri thekson se në një qeveri të mundshme të opozitës, Abdixhiku e kushtëzonte pjesëmarrjen me postin e kryeministrit.

“Por, me Kurtin gjërat ndryshojnë, shkaku i dallimit elektoral prej 24 për qind mes LVV-së dhe LDK-së. Nuk është e logjikshme që Kurti t’ia ofrojë Abdixhikut udhëheqjen e kabinetit kryeministror, ndërsa kryetari i LDK-së – në çdo eventualitet, s’mund të pranojë më pak se ç’ka kërkuar nga opozita. Këtu nis bllokada thelbësore, e cila rrjedhimisht e pamundëson gjithë potencialin e projektit të këtillë”, thotë krejt në fund analisti.

Ftesa e Kurtit ndaj Abdixhikut shihet si lojë nga AAK

Ndërsa analisti Avni Arifi, gjithë këtë e sheh si një lojë të Kurtit.

“Një lojë e ndytë e zakonshme e Kurtit. Asnjë arsye nuk ka me besu se do të ketë koalicion VV-LDK”, shprehet shkurtimisht ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur sot në takim liderët e partive politike në vend.
Pas takimit me ta, Konjufca foli edhe për letrën që Kurti ia dërgoi kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku për takim.

Ai tha se Kurti i ka dërguar ftesë vetëm Abdixhikut dhe shprehet se “është njëfarë privilegji më t’u drejtu të parit”.

“Sa i përket letrës, letra i është drejtuar nga ana e kryeministrit vetëm Lidhjes Demokratike të Kosovës, kurse gjuhën që do të përdorim në raport me partitë e tjera do të jetë gjuhë e bashkëpunimit dhe partneritetit sepse ju mund të merrni me mend tensionet dhe polarizimet që ndodhin gjatë fushatës e që i kemi pas edhe gjatë legjislaturës së 8-të por të gjithë zgjohemi një mëngjes dhe shohim cili është rezultati i zgjedhjeve dhe kuptojmë se politika nuk nderohet mbi urrejtjen dhe dashurinë sepse është me e kuptu interesat e interesat që i përfaqësojmë s’janë tonat personale, por të Republikës së Kosovës”, tha ai.

LDK: Nuk do ketë koalicion me VV-në

Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se vazhdon të jetë qëndrimi i LDK-së për të mos hyrë në koalicion me VV-në.

“Qëndrimet e LDK-së të dhëna para zgjedhjeve, kanë qenë ofertë publike e LDK-së për cilindo qytetar të Kosovës që zgjedh të votojë për LDK-në. Nëse një parti politike e ka shfaqur sheshit një hendek të madh me VV-në, hendek që u shndërruar në një mur të palëvizshëm pas zgjedhjeve, jo vetëm për diskursin, por për mënyrën se si ka qeverisur me Kosovën. Vlerësoj, megjithëse, e kemi përsëritur qëndrimin e LDK-së, po vërejmë ndryshime të qëndrimeve, nga fjalët e thëna para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve, kjo nuk qëndron për LDK-në”, tha ajo.
“Kur kemi thënë se nuk hyjmë në koalicion me VV-në, nuk kemi vendosur kushtëzime. Ky qëndrim është parim i yni. Ky qëndrim nuk ka qenë i kushtëzuar, por kristal i qartë. LDK-ja nuk ka takim sot, duhet të kemi takim sot. Çfarëdo ftese e përveçme nuk është në suaza të takimeve normale, nuk e di pse po flitet për një takim formal”, tha ajo.

Ndërsa, kujtojmë se gjatë fushatës zgjedhore dhe pas saj, të dyja partitë janë shprehur kundër një koalicioni.

Vetëvendosje e Kurtit shpresonte se do të arrinte e vetme të formonte Qeverinë, ndërsa nga LDK-ja, ishin shprehur kundër një koalicioni me VV-në.

“Nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta [VV-në]. Ky ishte qëndrimi ynë paraelektoral dhe mbetet i njëjtë”, kishte thënë Abdixhiku javë më parë.

Sipas numrit të ulëseve që kanë siguruar në Kuvendin e Kosovës, partitë janë renditur kështu: LVV me 48 deputetë; PDK me 24 deputetë; LDK me 20 deputetë; Lista Serbe me 9 deputetë, AAK-Nisma me 8 deputetë./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/