Komuna e Podujevës ndan mbi 200 mijë euro për ndriçim publik

14:00 | 27 Prill 2020 | A. Çitaku

Një pjesë e qytetit dhe disa nga fshatrat e Podujevës do të bëhen me ndriçim publik.

Për këtë komuna tashmë ka hapur tenderin ku përfshihen disa rrugë në qytet dhe pesë fshatra, shkruan arbresh.info.

E për kontratën me titull “Ndërtimi i ndriçimit publik në rrugët e qytetit dhe në fshatrat Peran, Bajçinë, Letanc, Obrançë dhe Surkish”, është planifikuar të shpenzohet shuma prej 203.877,00 euro. Kështu bëhet e ditur në njoftimin për kontratë të bërë publik në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Aty thuhet gjithashtu se afati kohor për përfundimin e punimeve është 60 ditë.

Tenderi është ndarë në tri grupe, grupi I parë përfshin ndërtimin e ndriçimit publik në rrugët e qytetit, grupi i dytë përfshinë ndërtimin e ndriçimit publik në fshatin Surkish dhe në disa rrugë të qytetit dhe grupi i tretë përfshin ndërtimin e ndriçimit publik në fshatrat Letanc, Peran, Obrançë, Bajçinë dhe në disa rrugë të qytetit.

Një nga kriteret e dhënies së tenderit është ofrimi i çmimit më të ulët.

Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve është 18 maj, po atë ditë do të bëhet edhe hapja e tyre nga ora 13:00:00.

Dorëzimi i tenderëve do të bëhet në platformën Elektronike ndërsa hapja e tyre në zyrën nr. 8.

Ndryshe në nëntor të vitit që lamë pas ishte përuruar finalizimi i projektit të ndriçimit publik në një segment të rrugës Podujevë-Kërpimeh. Ndërsa gjatë tërë 2019-es projekte të ndriçimit publik ishin realizuar në 7 rrugë të qytetit, në një gjatësi prej 2.6 km./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara