Bashkëshortja e udhëheqësit të opozitës ruse, Alexei Navalny u zotua të hënën se do të vazhdojë luftën kundër Kremlinit.
Me zërin që i dridhej herë pas here në një video të postuar në mediat sociale, Yulia Navalnaya akuzoi presidentin rus Vladimir Putin për vrasjen e burrit të saj në një burg të largët në Arktik dhe tha se refuzimi i zyrtarëve për t’ia dorëzuar trupin e tij nënës së tij, ishte pjesë e përpjekjes për të fshehur arsyen e vërtetë të vdekjes së tij.
Autoritetet ruse thanë se shkaku i vdekjes së Navalnyn të premten në moshën 47-vjeçare nuk dihet ende është ende i panjohur – dhe rezultatet e çdo hetimi ka të ngjarë të vihen në dyshim jashtë vendit.
Shumë udhëheqës perëndimorë kanë thënë se e konsiderojnë presidentin rus përgjegjës për vdekjen e kundërshtarit të tij.
Navalny ishte i burgosur që nga janari 2021, kur u kthye në Moskë pasi u shërua në Gjermani nga një helmim me agjent nervor për të cilin fajësoi Kremlinin.
Ai u dënua tre herë me burg që nga arrestimi i tij, për një sërë akuzash që ai i kishte hedhur poshtë si të motivuara politikisht.
“Ata po e fshehin poshtërsisht trupin e tij, duke refuzuar t’ia japin nënës së tij dhe duke gënjyer në mënyrë të paturpshme, ndërsa presin që të zhduken gjurmët e helmimit”, tha zonja Navalnaya, duke lënë të kutohet se burri i saj mund të ishte vrarë me një agjent nervor të stilit Noviçok.
Ajo u bëri thirrje rusëve të bashkohen me të “për të ndarë jo vetëm pikëllimin dhe dhimbjen e pafund që na ka përfshirë, por edhe zemërimin tim”.
“Gjëja kryesore që mund të bëjmë për Alexei-n dhe veten tonë është të vazhdojmë të luftojmë. Ne të gjithë duhet të bashkohemi dhe të godasim atë regjim të marrë”, tha ajo.
Të hënën, Ivan Zhdanov, drejtori i Fondacionit Kundër Korrupsionit të Navalny-t, tha se trupi i tij nuk do t’i jepej nënës së tij për 14 ditë derisa të kryhet një analizë kimike, sipas një hetuesi rus.
Zëdhënësja e zotit Navalny, Kira Yarmysh tha se Komiteti Hetimor, agjencia më e lartë hetimore penal në vend, informoi Lyudmila Navalnayan se hetimi zyrtar do të vazhdonte më gjatë.
“Ata gënjejnë, blejnë kohë për veten e tyre dhe as nuk e fshehin një gjë të tillë”, postoi zëdhënësja Yarmysh në platformën X.
Në Bruksel të hënën, e veja e Navalny-t u takua me ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian dhe zyrtarë të tjerë. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se blloku po shqyrtonte vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar të pavarur për shkaqet e vdekjes së Navalny-t.
Ai tha se përgjegjësia për vdekjen e Navalny-t qëndron tek “vetë Putini”, por se këtu përfshihet struktura institucionale e sistemit të burgjeve në Rusi, duke thënë se ndaj saj mund të ndërmerren ngrirje të pronave dhe ndalime udhëtimi.
Presidenti Joe Biden tha të hënën se edhe administrata e tij po shqyrton mundësinë e vendosjes së sanksioneve shtesë ndaj Rusisë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cilësoi akuzat e udhëheqësve perëndimorë si “të papranueshme”.
“Këto deklarata nuk mund t’i bëjnë asnjë dëm kreut të shtetit tonë, por sigurisht i bëjnë të duken keq ata që i bëjnë ato”, tha Peskov në një telefonatë me gazetarët.
Një aleat i Navalny-t, Ivan Zhdanov, i denoncoi autoritetet ruse si “lakej dhe gënjeshtarë”.
“Është e qartë se çfarë po bëjnë tani – po mbulojnë gjurmët e krimit të tyre”, tha ai të hënën.
Që nga vdekja e zotit Navalny, rreth 400 persona janë arrestuar nga policia në Rusi teksa krijonin përkujtimore të improvizuara me lule dhe qirinj për ta nderuar poltikanin e opozitës, sipas grupit OVD-Info, që monitoron arrestimet politike.
Në deklaratën e saj, Navalnaya tha: “Duke vrarë Alexein, Putin vrau gjysmën time, gjysmën e zemrës dhe gjysmën e shpirtit tim”. “Por unë kam ende gjysmën tjetër që nuk më lejon të dorëzohem. Unë do të vazhdoj punën e Alexei Navalnyt”, tha ajo./voa
KDI: Dëgjimi publik për Projektligjin për Byronë nga sot për...
Tërnava takohet me Kryetarin e Dijanetit të Turqisë, flasin ...
Prokuroria malazeze jep detaje rreth vrasjes së trefishtë ...
Kosova shpall organizatë terroriste Gardën Revolucionare të ...
Haxhiu ndan detaje nga takimi me Whitaker
Fjalët që Leonardi do t’ia thoshte Liridonës: “Motër, amanet...