Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, shprehu bindjen se është e pamundur që presidenti rus, Vladimir Putin, të sulmojë një vend të NATO-s.
“Asnjë njeri serioz nuk mund të thotë për Rusinë se synon ta sulmojë NATO-n”, tha ai në një intervistë për gazetën gjermane, Bild, e cila u publikua të hënën.
Sulmi kundër NATO-s është krejtësisht i pamundur – jo vetëm për Rusinë, por për këdo në botë – pasi është komuniteti më i fuqishëm ushtarak, tha Orban.
Prej se ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, Putin ka bërë disa kërcënime – qoftë direkte, qoftë të tërthorta – kundër NATO-s.
Orban shtoi se të gjitha vendet e NATO-s qëndrojnë pas zotimit të tyre për sigurinë kolektive, që do të thotë se sulmi ndaj një aleati të NATO-s është sulm ndaj të gjithëve.
“Rusët kanë një histori dhe kulturë ndryshe; ata e shohin ndryshe nga evropianët edhe lirinë dhe sovranitetin kombëtar”, tha Orban, i cili takoi Putinin javën e kaluar në Moskë.
“Por, ata janë racionalë, janë hiper-racionalë”, shtoi ai.
Duke folur për zgjedhjet presidenciale në SHBA, që do të mbahen në nëntor, Orban tha se beson se presidenti aktual, Joe Biden, nuk do të rizgjidhet.
Ai e lavdëroi kundërkandidatin republikan të Bidenit, Donald Trump.
“Ai është një biznesmen, është një njeri i vetëkrijuar, ka qasje ndryshe për gjithçka. Dhe, unë mendoj se kjo është gjë e mirë për politikën botërore”, tha Orban për gazetën gjermane.
“Të mos harrojmë se ai është njeri i paqes”, pohoi Orban, duke shtuar se Trump nuk ka nisur asnjë luftë të vetme gjatë katër vjetëve të tij në detyrë.
Orban ka qenë i vetmi kryeministër i një vendi të Bashkimit Evropian që ka shprehur hapur mbështetjen e tij për Trumpin edhe para zgjedhjes së tij president në vitin 2016./rel
Dështimi i Milanit në Serie A, largime të mëdha nga klubi nu...
Pesë të lënduar në një aksident të rëndë në rrugën Gjilan-Ka...
Allegri pranë Napolit, Milani drejt shkarkimit të trajnerit
Nis rishikimi i ligjit për Parqet Kombëtare, synohet zgjidhj...
Gjykata Kushtetuese rikthen për rishqyrtim çështjen e masës ...
Kryeqyteti organizon ceremoni përkujtimore për Fehmi e Xhevë...