Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur një marrëveshje të përgjithshme për parimet udhëzuese pas mbi 3 orë e gjysmë takimi të përbashkët në Gjenevë të Zvicrës mbi kushtet e kufizimit të programit bërthamor nga Teherani.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, pas bisedimeve që zhvilloi me të dërguarin special të SHBA-ve, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e Presidentit Donald Trump, Jared Kushner.
Kryediplomati iranian i cilësoi këto bisedime serioze, duke shtuar se faza e hartimit dhe shkrimit të marrëveshjes do të jetë më e vështirë. Edhe pala amerikane i quajti përparim këto bisedime. Iranianët do të kthehen në dy javët e ardhshme me propozime të hollësishme për të adresuar disa nga boshllëqet në qëndrimet mes dy vendeve, thanë zyrtarët amerikanë.
Para negociatave nuk munguan përplasjet e forta me deklarata mes dy vendeve. Presidenti Donald Trump paralajmëroi një sulm të mundshëm ndaj Iranit nëse negociatat dështojnë.
“Nuk mendoj se ata duan pasojat e mosarritjes së një marrëveshjeje. Mund të kishim arritur një marrëveshje në vend që të dërgonim B-2-shat për të eliminuar potencialin e tyre bërthamor”.
Këtyre deklaratave iu kundërpërgjigj lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, i cili tha se përpjekjet e SHBA-ve për të rrëzuar qeverinë e tij do të dështonin.
“Ata thonë ‘dërguam një anije në Iran’. Sigurisht, një anije luftarake është një mjet i rrezikshëm, por edhe më e rrezikshme është arma që mund ta dërgojë atë në fund të detit”.
Sakaq, flota amerikane po vijon grumbullimin në Lindjen e Mesme, teksa edhe Irani nga ana tjetër ka njoftuar për stërvitje ushtarake në ngushticën e Hormuzit.
Ndërkohë, po në Gjenevë këtë të martë mbahen edhe bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës për t’i dhënë fund luftës./Tv Klan
Julian Alvarez bëhet golashënuesi i pestë argjentinas më i m...
Gruaja e Agim Ramadanit përshëndetet me Haxhiun gjatë homazh...
Beteja e Koshares, Haxhiu: Ndër betejat më të lavdishme të h...
Krerët politikë bëjnë homazhe në Koshare
Seanca e OKB-së për Kosovën, Konjufca përfaqëson vendin në N...
Abdixhiku: Në Koshare, historia nuk është shkruar, është çar...