Google ADS

Pas shumë vitesh pritje, shkolla në Arbëri përfundon këtë vit

11:07 | 5 Mars 2017

Ndërtimi i shkollës fillore në lagjen Arbëria ka filluar në vitin 2010, por që ky objekt nuk ka përfunduar ende. Arsyeja se pse është ndërprerë punimi i kësaj shkolle ka qenë një kontekst pronësor. Ndërsa prindërit ballafaqohen me shumë vështirësi për t’i dërguar fëmijët në shkollat e lagjeve tjera.

Albulena Dobruna paguan 40 euro transport për dy fëmijët e saj për t’i dërguar në Shkollën Model, pasi që shkolla në lagjen Arbëria nuk është përfunduar ende.

Qytetarja Albulena Dobruna tha se përfundimi i kësaj shkolle është shumë i rëndësishëm, pasi që i duhet të paguajë edhe transportin për fëmijët e saj.

 

“Shkolla në Dragodan është shumë e nevojshme për me u përfundua. Arsyeja se pse nxënësit shkojnë në Shkollën Model, pagesën e bëjmë për dy nxënës 40 euro edhe ashtu kushtet ekonomike qysh janë në Kosovë, shumë e nevojshme, por nuk e di pse nuk po ndërtohet”, tha ajo.

Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, tha për KosovaPress se arsyeja e ndërprerjes së punimeve të kësaj shkolle, ka qenë për shkak të një konteksti pronësor, por që ajo tha se ky kontest është zgjedhur dhe shkolla do të përfundojë gjatë këtij viti.

“Ndërtimi i shkollës në lagjen Arbëria ka filluar, kemi pasur një kontekst pronësor, i cili tashmë është evituar, pra është zgjedhur dhe me përmirësimin e kohës dhe me fillimin e sezonit për ndërtim, do të vazhdojë edhe ndërtimi i objektit të shkollës dhe do të përfundojë brenda këtij viti. Do të përfundojë dhe do të funksionalizohet”, tha ajo.

Gjithashtu ajo tha se gjatë këtij viti do të përfundojë ndërtimi i kësaj shkolle dhe do të funksionalizohet.

Valentina Azemi, nënë e dy fëmijëvë, që po ashtu vajzën e saj e dërgon në Shkollën Model, tha për KosovaPress se është shume e rëndësishme që të përfundojë shkolla, pasi që sipas saj është shumë e vështirë për nënat që t’i dërgojnë fëmijët në shkolla.

 

“Është shumë e rëndësishme se banorët e krejt lagjes e kanë patjetër mi dërgu fëmijët në Shkollën Model, prej 2010 ka filluar dhe ende është pa përfunduar. Është pak problem, e sidomos për nanat që duhet më shumë me i dergu fëmijët në shkollë, është shumë problem, duhet me i dergu ose në Model ose në Asim Vokshi. Është shumë keq per krejt banorët, jo veç për mu personalisht”, tha ajo.

Ndërsa, Bedri Krasniqi, i cili kishtë shkuar për të marrë nipin dhe mbesen nga shkolla, tha për KosovaPress se është shumë e rëndësishme që të përfundojq ndërtimi i shkollës, pasi që sipas tij fëmijët duhet të ecin gjysmëore për të shkuar në shkollat e tjera.

 

“Është shumë e rëndësishme se nipat dhe mbesat po shkojnë gjysë ore atje në Meto Bajraktari. Kombi dimrit kur është koha vështirë nuk vjen me i marrë, duhet dikush me u kujdes për ta, ose prindërit ose gjyshërit, me i dërgu atje në shkollë. Kështu kjo u kanë që pesë vjetë, është diçka aktastrofë mos me u ndërtu për lagje. Kjo Arbëria është e gjanë, prej rrugës prej Orlloviqi me kombi vinë në Model ose në Meto Bajraktari, duke pasur mundesinë me ardhë në këmbë”, tha ai.

Sa i përket premtimit të Komunës së Prishtinës, e cila ka thënë që shkolla do të përfundojë gjatë këtij viti, Bedri Krasniqi, u shpreh skeptik, duke thënë se edhe më herët kishin thënë kështu.

“Këta qashtu thonë jo sivjet, jo sivjet pesë vite shkuan edhe nja pesë ndoshta shkojnë e përfundon. Përndryshe ishalla bëhet mirë”, tha ai.

Ndërtimi i shkollës fillore në lagjen Arbëria ka filluar në vitin 2010, por që punimet janë ndërprerë për shkak të një konteksti pronësor

shkolla-arberi-050317-1

Shpërndaje në rrjete sociale