Ministria e Arsimit për rastin e drejtorit të dyshuar për ngacmim seksual: Të trajtohet me prioritet

22:12 | 20 Maj 2026
E.G

Ministria e Arsimit ka shprehur shqetësim lidhur me rastin e raportuar në komunën e Gjakovës për ngacmim seksual nga ana e drejtorit të një institucioni arsimor.

Me anë të një komunikate, kjo ministri ka deklaruar se menjëherë pas informacionit, Inspektorati i Arsimit ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjakovë për të siguruar informacionet relevante lidhur me veprimet institucionale të ndërmarra, shkruan Arbresh.info.

Komisioni disiplinor ka marrë vendim për pezullimin e drejtorit nga marrëdhënia e punës të mërkurën. I dyshuari ishte drejtor në shkollën fillore “Pjetër Bogdani” në Demjan të Gjakovës.

“Çdo formë e ngacmimit seksual dhe dhunës dhe abuzimit e keqpërdorimit të pozitës zyrtare në institucionet arsimore është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Institucionet arsimore duhet të jenë mjedise të sigurta dhe mbrojtëse për çdo fëmijë dhe nxënës, ndërsa çdo veprim i dyshuar që cenon integritetin dhe dinjitetin e të miturve duhet të trajtohet me seriozitet më të lartë nga organet kompetente”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ministria ka shtuar se pret nga të gjitha institucionet përgjegjëse që rasti të trajtohet me prioritet, profesionalizëm dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi deri në një dënim meritor, duke garantuar mbrojtjen e integritetit dhe dinjitetit të secilit nxënës në institucionet arsimore dhe besimin në institucionet publike.

“Ministria do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet lidhur me këtë rast dhe do të ofrojë mbështetjen e nevojshme institucionale në kuadër të kompetencave të saj”, thuhet në fund.

Drejtori dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 17-vjeçare./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale