Anija turke e peshkimit sulmohet në Detin e Zi, një viktimë dhe katër të plagosur

23:08 | 5 Qershor 2026
E H

Një anije peshkimi me flamur turk është sulmuar sot në Detin e Zi, pranë bregdetit të Krimesë, duke lënë një person të vdekur dhe katër të plagosur, sipas autoriteteve portuale turke.

Anija e peshkimit “DURU 67” ishte duke lundruar në afërsi të Sevastopolit, në gadishullin e Krimesë, kur është goditur dhe më pas është fundosur.

Autoritetet turke kanë konfirmuar se incidenti ka ndodhur në brigjet e Krimesë perëndimore, një territor i aneksuar nga Rusia, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura rrethanat e plota të ngjarjes dhe as përgjegjësit për sulmin.

Sipas njoftimeve fillestare, në bord ndodheshin pesë peshkatarë, ku njëri prej tyre ka humbur jetën dhe katër të tjerët kanë mbetur të plagosur.

Shërbimet përkatëse kanë nisur hetimet dhe operacionet për zbardhjen e plotë të incidentit.