Sekretari Rubio: Çështja e anëtarësimit të Kosovës në NATO s’është në agjendën e shteteve anëtare

20:54 | 3 Qershor 2026
E.G

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, ka deklaruar se aktualisht çështja e anëtarësimit të Kosovës në NATO nuk është në agjendën e shteteve anëtare.

Por, Rubio e ka riafirmuar angazhimin amerikan në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar përkushtimin e SHBA-së për të parandaluar konfliktin dhe paqëndrueshmërinë në rajon.

Deklarata e tij u bë gjatë një seance dëgjimore në Kongres, ku Kongresmeni Keith Self, në cilësinë e Kryetarit të Nënkomitetit për Evropën, avokoi për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për forcimin e rolit amerikan në rajon.

Rubio ka sqaruar se nuk do të thotë se anëtarësimi nuk do të ndodhë kurrë, por se çështja nuk është folur “në bisedat e fundit me aleatët tanë të NATO-s”, për shkak të çështjeve të tjera në botë.

“Ajo që kam vënë re është se tani për tani, në përgjithësi, NATO është aq e përqendruar në disa çështje të tjera që janë ngritur këtu sot, saqë zgjerimi, veçanërisht në rastin e Kosovës, nuk është në plan të parë të agjendës së disa prej këtyre shteteve”, ka thënë Rubio.

Duke iu referuar vizitës së tij të fundit në Kosovë, Luginën e Preshevës dhe Bosnjë e Hercegovinë, Self e përshkroi Ballkanin Perëndimor si “jashtëzakonisht të brishtë”, duke theksuar se integrimi i Kosovës në institucionet euroatlantike mbetet thelbësor për stabilitetin afatgjatë të rajonit.

Ai gjithashtu përshëndeti emërimin e fundit të ambasadorëve amerikanë në vendet e rajonit dhe nënvizoi rëndësinë e plotësimit të pozicionit të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë.

“Pres me padurim mbështetjen e Administratës për të plotësuar këtë rol të rëndësishëm,” u shpreh Kongresmeni Self gjatë fjalës së tij në Kongres.

Në fjalën e tij, Self vazhdoi të jetë një nga zërat më të angazhuar në Kongres për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara, Kosovës dhe komuniteteve shqiptaro-amerikane.