Tragjedia në Shëngjin, Konjufca ngushëllon familjet

21:25 | 3 Qershor 2026
E.G

Zëvendëskryeministri në detyrë, Glauk Konjufca ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e sotme pranë Ranës së Hedhun në Shëngjin, ku dy bashkëqytetarë nga Kosova humbën jetën, ndërsa disa të tjerë mbetën të lënduar.

Përmes një postimi në Facebook, Konjufca ka shprehur pikëllimin për humbjen e jetëve dhe ka përcjellë ngushëllime për familjarët e viktimave, si dhe urime për shërim të shpejtë për të lënduarit, shkruan Arbresh.info.

“Na pikëlloi thellë lajmi tragjik për dy bashkëqytetarët tanë nga Kosova që humbën jetën sot pasdite pranë Ranës së Hedhun në Shëngjin. Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët dhe të afërmit e viktimave, ndërsa të lënduarve iu dëshirojmë shërim të shpejtë. U prehshin në paqe!”, ka shkruar ai.

Sipas të dhënave paraprake, të rinjtë janë futur për t’u larë në det, por janë përballur me kushte të rrezikshme detare dhe janë marrë nga dallgët, duke rrezikuar mbytjen.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të qytetarëve me mjete lundruese Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare dhe Policisë së Lezhës, u bë e mundur nxjerrja e pesë personave nga uji. Ata u transportuan me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Lezhës për trajtim mjekësor.

Megjithatë, sipas informacionit zyrtar nga urgjenca spitalore, dy prej të rinjve kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerët ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po marrin kujdes intensiv./Arbresh.info

LEXO EDHE:

“Pesë shokët nga Kosova u futën në det…”, policia jep detaje pas tragjedisë në Shëngjin me dy të vdekur