Luis de la Fuente komenton mospërfshirjen e lojtarëve të Realit në Kupën e Botës

09:31 | 3 Qershor 2026
D.H

Trajneri i kombëtares së Spanjës, Luis de la Fuente, ka komentuar mungesën historike të lojtarëve të Real Madridit në listën e të grumbulluarve për Kupën e Botës.

Në një intervistë për emisionin “El Larguero” në radion SER, tekniku spanjoll u pyet nëse e habit fakti që për herë të parë në histori asnjë futbollist i Real Madridit nuk është pjesë e skuadrës së Spanjës për një Botëror.

“A më habit? Jo, nuk më habit, sepse e njoh potencialin e futbollit spanjoll. Nuk janë vetëm lojtarët më të mirë të Barcelonës, Real Madridit apo Atletico Madridit. Ka futbollistë shumë të mirë edhe në shumë klube të tjera. Duke pasur këtë njohuri të detajuar të futbollit spanjoll, ne zgjedhim lojtarët që besojmë se përshtaten më mirë me idetë tona në atë moment”, deklaroi De la Fuente.

Gazetari Manu Carreño këmbënguli duke i kujtuar se kjo është hera e parë që Spanja shkon në një Kupë Bote pa asnjë lojtar të Real Madridit në përbërje.

Megjithatë, përzgjedhësi spanjoll minimizoi rëndësinë e këtij fakti.

“Nuk i jap rëndësi kësaj rrethane. Ajo që dua është të ketë sa më shumë lojtarë spanjollë që janë në nivelin e kërkuar për një kombëtare dhe për të garuar në një Kupë Bote. Mund të ketë lojtarë të tillë te Real Madridi ose kudo tjetër, por ne kemi konsideruar se këta 26 futbollistë janë më të mirët”, u shpreh ai.

Kampionati Botëror nis me 11 qershor, gjersa Spanja ndodhet në grupin H, së bashku me Cape Verden, Uruguain dhe Arabinë Saudite./Arbresh.info